E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjimnazistët, mësim me tekstet e autorëve të huaj”

 

zirina llambro

Tekstet e reja që vijnë për herë të parë në vendin tonë nga autorë të huaj janë gati. Me anë të një konference për shtyp, vetë Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, i paraqiti ato duke i cilësuar të rëndësishme për metodologjinë e mësimdhënies.  Bëhet fjalë për Biologjinë, Kiminë, Fizikën, Shkencat e Tokës si dhe Metodën e Gjuhëve të Huaja që do të përdoren për herë të parë këtë vit në shkollat e mesme të vendit. “Është një lajm i gëzuar për të gjithë gjimnazistët, por edhe për opinionin publik, që për në shkollën e mesme shqiptare të përdoren tekste në përputhje me programet shqiptare, por të standardeve tërësisht evropiane”, tha ministri Beja. Sipas tij, këto tekste të përkthyera për lëndët bazë shkencore dhe njëkohësisht metodat origjinale të gjuhëve të huaja, zëvendësojnë metodat e autorëve shqiptarë. Ato do të kontribuojnë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së shërbimit arsimor në gjimnaze. “Një nga vështirësitë më të mëdha që kemi pasur, ka qenë problemi i çmimit. Këto tekste që në vendet e BE-së kushtojnë 10-herë më shtrenjtë, rreth 20-30 euro do të shiten në Shqipëri, në sajë të përpjekjeve të MASH, në më pak se 2 euro, dhe madje më lirë se çmimet e teksteve të autorëve shqiptarë, duke sjellë një ndihmë për nxënësit dhe familjet e tyre”, deklaroi Ministri i Arsimit. Sipas tij, ky proces do të zgjerohet në vitet e ardhshme. Ministri deklaroi gjithashtu se këtë vit Ministria e Arsimit do ta realizojë furnizimin e shkollave me tekste më mirë se çdo vit tjetër dhe se shpërndarja e tyre do të fillojë që javën që vjen. “Gjithçka sipas një skeme që ne futëm shtatorin e kaluar dhe që ishte shumë produktive, ku i lidhëm shkollat me libraritë përkatëse afër tyre, në mënyrë që prindërit të mos sorollaten më nga një librari në tjetrën në kërkim për të marrë tekstet”, theksoi ministri.
Sa i përket subvencionit të teksteve, ministri Beja tha se skemat e mëparshme të  të shtëpive botuese, që sollën stoqe librash në magazinat e DAR/Za-ve dhe ishin një burim korrupsioni, tashmë janë hequr përfundimisht. “Skema që kemi vendosur ne ka qenë që paret t’i marrë nxënësi, ai që blen librin të marrë subvencionin. Kjo skemë ka funksionuar edhe shtatorin e kaluar dhe atë të mëparshëm. Ka funksionuar më mirë vjet se parvjet dhe do të funksionojë më mirë sivjet sesa vjet”, përfundoi ministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›