“Reforma e Alterteksit, përjashtim vetëm përkthimet e huaja”
Pavarësisht se tekstet e përkthyera nga autorët e huaj do të jenë unike për të gjithë shkollat e mesme, reforma e Altertekstit do të vijojë. Këtë bëjnë me dije specialistët e ministrisë. Sipas tyre, në treg edhe këtë vit do të ketë disa tekste për të njëjtën lëndë. “Do të respektohen rezultatet e teksteve, të cilat kanë qenë fitues në vitin e kaluar, nga viti i parë deri në atë të 12-të, duke ofruar 3, 4, 5, apo më shumë alternativa. Këto tekste nuk do të ketë nevojë të përsëriten për këtë vit. Ndërsa për tekstet e lëndëve, për të cilat ka pasur vetëm një alternativë ose dy, do të rihapet procesi i kërkesës për tekste të reja alternative, në mënyrë që të ofrohen më shumë tekste për mësuesit gjatë përzgjedhjes”, sqarojnë specialistët e MASH. Ndërkohë që do të korrigjohen të gjitha defektet, të cilat janë konstatuar. “Një pjesë e mirë e defekte të teksteve që vetë mësuesit i kanë konstatuar gjatë punës janë rregulluar në botimin e këtë viti. Procesi i ribërjes së kontratave ka marrë në konsideratë edhe korrigjimin e teksteve të miratuara më parë. Në të gjitha rastet, ne do të synojmë të mbrojmë interesat e nxënësve dhe familjeve të tyre”, nënvizojnë specialistët. Në këtë kuptim, sipas tyre, gjithë procesi do të synojë të ofrojë shumëllojshmëri tekstesh, garë midis botuesve dhe autorëve të teksteve në përputhje me programet e ministrisë.