E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzika e lokaleve në ish-bllok, ambasadori ankohet te Dobjani

 

TIRANE – Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i kërkon “llogari” Bashkisë së Tiranës, për muzikën e lartë në baret e zonës së ish-bllokut. Kanë qenë vetë banorët e rrugës “Dëshmorët e 4 shkurtit”, një prej të cilëve diplomat i huaj në Tiranë, ata që kanë ankuar pranë zyrës së Dobjanit për “tmerrin” që përjetojnë çdo natë. Inspektimi në terren i ka përballur përfaqësuesit e AP-së me disa lokale, ku volumi i muzikës paraqiste shqetësim për banorët. Pas inspektimit të kryer në këtë zonë, Avokati i Popullit i ka kërkuar shpjegime Drejtorisë së Përgjithshme të Menaxhimit të Shërbimeve në Bashkinë e kryeqytetit, në lidhje me zhurmat akustike në këtë zonë. Në letrën që i bëhet e ditur edhe kryebashkiakut Edi Rama, Dobjani jep 10 ditë kohë për të marrë një përgjigje të argumentuar për masat që do të merren ndaj kërkesës së AP-së. Volumi i lartë i muzikës në këtë zonë, veçanërisht gjatë orëve të natës, ka detyruar banorët t’i drejtohen AP-së për zgjidhjen e situatës. “Gjatë inspektimit të zhvilluar personalisht nga Avokati i Popullit dhe njërit prej ekspertëve të institucionit, në orën 24.00, të datës 28.07.2009, u konstatua se në tri bare muzika ishte e ngritur në nivele shqetësuese, si për kalimtarët e sidomos për banorët e apartamenteve sipër dhe rrotull këtyre bareve. Gjithashtu, u konstatua se në një distancë fare të shkurtër nga këto bare qëndronte e parkuar makina me targë TR 8109 R, me dy inspektorë të Policisë Bashkiake, të cilët mund të ndërhynin për normalizimin e kësaj situate”, thuhej në shkresën e Dobjanit. Pas evidentimit të kësaj situate Dobjan i ka kërkuar Bashkisë informacion nëse a është vënë në dijeni ky institucion për situatën e krijuar në këtë zonë të kryeqytetit. “Lutemi të na përcillni me një informacion të hollësishëm, nëse jeni vënë në dijeni të kësaj situate të shkaktuar nga ushtrimi i aktivitetit të lokaleve në këtë zonë, nëse është ndërmarrë ndonjë masë ligjore nga ana juaj për rregullimin e kësaj situate. Gjithashtu, kërkojmë të informohemi së pari, nëse këto biznese janë të pajisura me lejen përkatëse për ushtrimin 24 orë të aktivitetit, si dhe cili është roli e detyra e Policisë Bashkiake në këto raste”, kërkonte Dobjani.           ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›