E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, Berisha ‘përplas’ Olldashin



BLEDAR HOTI

Pothuajse të gjithë ministrat dhe aktorët në konferencën e djeshme për sigurinë rrugore, kanë etiketuar Ministrinë e drejtuar nga Olldashi, si fajtoren për numrin e lartë të aksidenteve dhe vdekjeve në rrugë. Më direkt ka qenë Kryeministri Berisha, i cili gjatë fjalës së tij renditi cilësinë e rrugëve, sinjalistikën dhe nivelin e ulët të besueshmërisë së patentave. Për të qenë më i qartë, se "sulmi" i tij kishte të bënte vetëm me Ministrinë e Olldashit, Kryeministria e lehtësoi përgjegjësinë e Policisë dhe rriti përgjegjësinë vetëm për dikasterin e Transporteve.
Statistika
Sipas statistikave, Shqipëria ka dy herë më shumë aksidente rrugore sesa vendet e zhvilluara. Për shkak të aksidenteve humbasin jetën mbi 300 qytetarë shqiptarë çdo vit, pësojnë plagosje të rënda mbi 350 qytetarë, pësojnë plagosje të lehta dhe të llojeve të ndryshme mbi 850 të tjerë. Sipas të dhënave mbi aksidentet e ndodhura këto 5 vjetët e fundit, rezulton që numri mesatar i aksidenteve me vdekje për 10 mijë mjete, është 10, përkundrejt 5.5, që e kanë vendet e Evropës Qendrore e Lindore, pra, rreth 1.8 herë më i lartë.
Berisha
"Problemi i sigurisë rrugore është një problem kompleks, në të cilin gërshetohen një seri faktorësh që nga rrugët dhe siguria e tyre, nga kultura dhe aftësitë e atyre që drejtojnë mjetin, nga rendi që ndjekin ata që monitorojnë trafikun rrugor. Por, cilësia e rrugëve, sinjalistika, janë një seri faktorësh për t'u adresuar. Situatës nuk i jepet përgjigje, në rast se ne e konceptojmë këtë si një përgjegjësi të policisë rrugore. është e vërtetë që Policia Rrugore ka pjesë palcore në veprimtarinë e saj për të parandaluar aksidentet, por është e vërtetë se problemi është shumë më i gjerë sesa rrezja e veprimit apo kompetencave të policisë rrugore". Kryeministri, nënvizoi, se cilësia e rrugëve dhe sinjalistika, janë shkaku kryesor i aksidenteve, duke shtuar edhe mungesën e përgatitjes të drejtuesve të mjeteve. "Në shumë raste, përgatitja e tyre që marrin lejet e drejtimit të automjetit është informate, jashtë çdo standardi". Të gjitha këto procedura, rrugët dhe lejet e ndërtimit kryhen nga drejtori që varen direkt nga Ministria e Transporteve. Por Kryeministri nënvizoi edhe dëshirën politike për përmirësimin e situatës, që sipas tij, ekziston, por nuk po shndërrohet dot në realitet, pikërisht nga këto probleme. "Në një anë është vullneti politik, i cili ekziston, por ana tjetër është shndërrimi i këtij vullneti në masa konkrete, në një plan veprimi konkret".
Banka Botërore
Në fjalën e saj, Drejtoresha e Bankës Botërore, që së fundi ka publikuar një raport për vdekshmërinë në rrugë, i mëshoi idesë se janë rrugët ato që po i marrin jetën udhëtarëve. Sipas Camilli Naumah, nuk mjafton vetëm ndërtimi i rrugëve të reja, por duhet që këto rrugë të garantojnë sigurinë dhe sinjalistikën e duhur. Përfaqësuesja e Bankës, nënvizoi një fakt tjetër, për të cilën shumica e shqiptarëve janë të pakujdesshëm. Ajo ka shprehur përshtypjet e saj si prind, ndaj fenomenit shqiptar të mbajtjes në mënyrë të pakujdesshme së fëmijëve gjatë udhëtimit me makina. Bëhet fjalë për fëmijët, që nuk ulen në sediljet e tyre të posaçme në makinë.
Olldashi
Gjatë fjalës së tij, Ministri i Transporteve, tregoi se nisma e fundit e Qeverisë për uljen e aksidenteve ka dështuar. "Grupet e eksperteve të sigurisë rrugore, të krijuara në zbatim të Urdhrit nr.44 të Këshillit të Ministrave, me specialistë të fushës si, nga Policia Rrugore, nga Drejtoritë Rajonale të Mirëmbajtjes së Rrugëve, nga Drejtoritë Rajonale të DPSHTRr-së, nga seksionet e transportit në Bashki dhe nga shoqatat e transportuesve, të drejtuar nga Prefektët, nuk kanë funksionuar". Olldashi ka bërë autokritikë, duke kritikuar drejtorinë e tij të patentave dhe ka dhënë lajmin që këtë vit do të rishikohen kushtet për pajisjen me leje ndërtimi. "Duhet detyrimisht të përmirësohet kualifikimi dhe pajisja me leje drejtimi i drejtuesve të mjeteve. Ne kemi filluar të punojmë dhe brenda 2010 do të rishikohet dhe përmirësohet kuadri nënligjor, për të rritur monitorimin dhe cilësinë e zhvillimit të programit teorik- praktik në autoshkolla, kushtet e tyre, monitorimin e komisioneve të testimit për marrjen e lejes së drejtimit, si dhe organizimin e trajnimit për kualifikimin e instruktorëve të autoshkollave".
Kostot
Sipas zv.ministrit të Financave, Alfred Rushaj, kosto e aksidenteve llogaritet deri në 1 për qind të GDP. Një shifër kjo që arrin në rreth 1.1 miliardë dollarë. Por shembullin më të qartë të kostove që i shkaktojnë shtetit aksidentet, e dha Ministri i Shëndetësisë, Vasili. Sipas tij, vdekshmëria nga aksidentet zë vendin e parë në listën e vdekjeve, pasi çdo vit po rritet numri i aksidenteve rrugore. "Sipas të dhënave tona, kemi një vdekje çdo ditë nga traumat ndërsa në total ky numër është 340 çdo vit. Kjo përbën një kosto të lartë për sistemin, pasi të mjekosh një pacient të traumatizuar është sikur të shpenzosh para për 10 pacientë të tjerë, ndaj kjo mbetet problematike".

Tiranë, tre të vdekur në 2 aksidente
TIRANE - Në një hark kohor prej 12 orësh në Tiranë janë shënuar 2 aksidente me 3 viktima dhe një i plagosur rëndë. Në orët e para të mëngjesit, në afërsi të fshatit Yrshek, në autostradën Tiranë-Vorë, një aksident automobilistik i ka marrë jetën dy personave dhe një tjetër është plagosur rëndë. Automjeti tip "Benz" me targë të huaj është përplasur fillimisht me trafikndarësen dhe më pas me një furgon, të cilin përpiqej ta parakalonte. Përplasja ka rezultuar fatale për dy kushërinjtë Gentian dhe Edmond Kulloin, të cilët kanë humbur jetën në vend, pasi kanë dalë nga makina dhe kanë përfunduar në një kanal të mbushur me ujë në anë të rrugës dhe është plagosur drejtuesi i mjetit Besmir Kulloi. Nga hetimet paraprake rezulton se shkak i aksidentit të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe konsumimi i pijes alkoolike. Të rinjtë kishin qenë gjatë natës në një lokal në Tiranë dhe po ktheheshin në shtëpitë e tyre në fshatin Rinas. Ndërsa rreth orës 16:40, një kalimtar 70 -vjeçar është përplasur për vdekje nga një makinë, e cila është larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk është identifikuar ende. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›