E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitjet, nis “evakuimi” i 36 statujave antike nga Apollonia



FIER - Nis “evakuimi” i objekteve antike në Apolloninë e lashtë. Rreth 36 objekte u larguan dje me qëllim shpëtimin e vlerave muzeale. Alarmin e dha pak ditë më parë kreu i këtij parku, çka ka bërë që ekspertët gjermanë dhe ata shqiptarë të largojnë nga vendi i rrezikut këto statuja. “Zhvendosja u la në dorë të tyre, pasi ata e njohin mjaft mirë terrenin, duke qenë se janë pjesë e ekspeditës shqiptaro-gjermane që po punon në Apolloni”, u shpreh kreu i parkut Arkeologjik, Marin Haxhimihali. Sipas tij, është hequr në një kohë rekord i gjithë inventari që gjendej brenda ambienteve të parkut. Tetë prej tyre u lanë brenda rrethimit të parkut, në pamundësi për t’i transportuar drejt muzeut të Fierit. “Shpresojmë që sapo të ndërhyhet dhe të riparohen këto ambiente, të rivendosen aty ku ishin të gjitha statujat. Ato janë vlera, të cilat vetëm në këtë park mund t’i gjesh”, u shpreh më tej Haxhimihali. Pritet që pushteti vendor dhe Ministria e Turizmit të japë fonde për të bërë të mundur ndërhyrjen konkrete në muret e çarë të ndërtesës, për të parandaluar edhe dëmet e mëtejshme. Dëmet janë evidentuar disa kohë më parë nga drejtuesit e këtij parku, të cilët kanë dhënë alarmin për shkak edhe të rrëshqitjes së tokës. Në këtë park ndodhen mjaft objekte me vlera të rralla muzeale. Transporti i statujave, disa prej të cilave të mëdha, u bë me mjete të veçanta me qëllim ruajtjen e tyre nga ndonjë dëmtim i mundshëm. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›