Sekretariati Teknik ul shkarkimet në HEC-e
Sekretariati Teknik vendosi dje uljen e shkarkimeve në tre liqenet e kaskadës së Drinit. Në Fierzë, nga tuneli shkarkimet kanë vijuar në vlerën e 500 m3/s. Në total, së bashku me ujin që del nga puna e turbinave, kjo sasi shkon në 900 m3/s. Në Koman shkarkimet janë lënë 700 m3/s dhe bashkë me turbinat shifra shkon 900 m3/s. Në Vaun e Dejës shkarkimet janë ulur në kuotën e 800 m3/s dhe në total nga bashkimi i shkarkimit të turbinave, mesatarja ka shkuar në 1350 m3/s. Ulja e nivelit të shkarkimeve ka ardhur si rezultat i përmirësimit të kushteve të motit dhe rënies së theksuar të prurjeve. Dje, Fierza regjistronte 700 m3/s ujë prurje dhe një nivel 293.75 metra. Po kështu edhe në Koman prurjet ishin në kuotën 300 m3/s, ndërsa liqeni në nivelin 170.97 metra. Rënie të prurjeve ka shënuar edhe Vau i Dejës, të cilat dje ishin 300 m3/s, shkarkimet në kuotën e 1140 m3/s dhe niveli 74.38 metra. Në Ulëz-Shkopet, për sa i përket nivelit, dje ka pësuar një rënie me 3 centimetra duke shkuar në 128.57 metra me prurje 180 m3/s dhe me derdhje 150 m3/s. KESH konfirmon se situata është duke u përmirësuar, por kjo është në vartësi të kushteve të motit.
Tenderi i marsit
Në kushtet kur vendi ynë po prodhon maksimalisht energji në mbi 26 milion kwh në ditë, është zhvilluar edhe tenderi për eksportin e energjisë. Gjatë dy ditëve të fundit janë nënshkruar edhe kontratat me fituesit e këtij tenderi, që janë kompanitë VERBUND” Austri, “EGL” Zvicer, “CEZ Trade Albania” Shqipëri, “GEN-i” Serbi, “EFT” Zvicër, “CEZ A.S” çeki dhe “EZPADA” çeki. Në total, synohet të shiten 334 milionë kwh energji. Nga ana e KESH konfirmohet se bursa greke, e cila aplikohet për shitjen e energjisë, aktualisht është shumë e mirë dhe me shumë mundësi. Edhe marsi ashtu si janari do të shënojnë vlerën e 12 milionë eurove për energjinë e shitur.