Tiranë, arrestohet Alban Rexha
Armand Bajrami
Arrestohet në ambientet e Gjykatës për Krimet e Rënda Alban Rexha. Ish-futbollisti, i njohur edhe si një nga personazhet më publikë të programit televiziv “Kafazi i artë”, u prangos në orët e mesditës së djeshme, teksa ishte paraqitur me dëshirën e tij në Prokurori. Alban Rexha ishte shpallur “person në kërkim policor” që prej ditëve të para të janarit të këtij viti dhe për të ekzistonte një urdhër arresti nga Gjykata për Krimet e Rënda. Kjo për shkak se mbrëmjen e 29 dhjetorit 2009, ai dhe tre persona të tjerë u përfshinë në një shkëmbim zjarri me një patrullë policie, në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë. Mësohet se Rexha ndodhej dje në gjykatë për shkak të ambienteve të përbashkëta që ajo ka me godinën e Prokurorisë për Krimet e Rënda. Avokatët mbrojtës të Rexhës pohuan dje se bëhej fjalë për një “vetëdorëzim” dhe se klienti i tyre u arrestua jashtë çdo rregulli. Sipas avokatëve, Alban Rexha do të paraqitej në Prokurori, për të ndihmuar hetimin ndaj tij dhe për të vijuar më tej me procedurat e nevojshme.
ARRESTIMI
Rreth orës 10:50 të ditës së djeshme Alban Rexha, nën shoqërinë e avokatëve të tij, është futur në ambientet e Gjykatës për Krimet e Rënda. Në vijim ai ka marrë pjesë në një seancë gjyqësore, vetëm për të qenë nën shoqërinë e mbrojtësve të tij, të cilët ishin avokatë në atë gjykim. Përfundimi i kësaj seance nuk ka qenë aspak i këndshëm për Rexhën. Dy punonjës policie, të veshur civilë, janë shfaqur ballë tij dhe e kanë prangosur. Prangosja e Rexhës ka krijuar konfuzion në ambientet e gjykatës, pasi avokatët kanë pretenduar se po bëhej një padrejtësi. Mësohet se nga ana e Rexhës nuk është bërë rezistencë ndaj punonjësve të policisë. Burime pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda pohuan se ndaj Alban Rexhës ekzistonte një urdhër arresti i pa ekzekutuar, që prej ditëve të para të muajit janar. Sipas Prokurorisë, Rexha akuzohet për “vrasje për shkak të cilësive të veçanta, mbetur në tentativë”.
AVOKATET
Të kontaktuar nga “Panorama”, mbrojtësit ligjorë të Alban Rexhës u shprehën se “u ndjenë të tradhtuar” prej prangosjes së klientit të tyre. “Ishte një vetëdorëzim. Kontaktuam me prokurorin e çështjes dhe vendosëm që klienti të paraqitej në Prokurori për të dhënë deklarime dhe për të vijuar më tej me veprimet e nevojshme procedurale”, u shpreh avokatja Alberta Gega. Avokatët shprehën shqetësim edhe për mënyrën e arrestimit. “Dorëzuam një person që donte të paraqitej në Prokurori. Vijnë dhe e rrëmbejnë. Ishte një demonstrim force brenda në sallë. Punonjësit civilë të policisë nuk kishin asnjë shenjë dalluese dhe nuk na paraqitën asnjë dokument si punonjës policie”, u shpreh një avokat tjetër, prezent në momentin e arrestimit.
Silenciatori
Ditën e djeshme Alban Rexha ka pasur me vete edhe një silenciator. Sipas avokatëve, silenciatori do të paraqitej në Prokurori për të provuar se një armë pistoletë e gjetur në vendin e ngjarjes në rrugën “Irfan Tomini” për të cilën Rexha akuzohet. Objekti silenciator është evidentuar dje, gjatë hyrjes së Rexhës në Gjykatë dhe është siguruar në një nga kasafortat e gjykatës konformë rregullave të brendshme të institucionit.
Vdes në aksident Seadi i “Kafazit të Artë 1”
GOSTIVAR – Vdes në një aksident në Maqedoni një nga finalistët e spektaklit “Kafazi i Artë”. Sead Zeadini, ka gjetur vdekjen dje në një aksident rrugor, të ndodhur në Gostivar të Maqedonisë. Sipas të dhënave në lidhje me ngjarjen, në automjetin me të cilin udhëtonte finalisti i spektaklit “Kafazi i Artë”, ndodheshin edhe tre persona të tjerë të cilët pësuan plagosje të lehta. Nga aksidenti mësohet se në rrethana tragjike ka gjetur vdekjen edhe nipi i personazhit të njohur, fëmijë vetëm 3 vjeç, ndërsa janë plagosur edhe kunata e vëllai i Sead Zaedanit. Policia maqedonase ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen, ndërsa ende nuk është i qartë shkaku i aksidentit. Makina me të cilën udhëtonte Sead Zeadini është përplasur me një kamion, ndërsa pasojat kanë qenë tragjike.