Izolohen nga uji Velipoja e Dajçi, ngec makina e Bashës
SHKOD ER/ RITVAN DIBRA
Ndonëse niveli i ujit në zonat problematike të Shkodrës u ul dje me 20 cm, gjendja mbetet e vështirë. Të tjera shtëpi janë rrethuar nga uji dhe sipërfaqja e tokës së mbuluar prej tij është shtuar më tepër.
Burime nga shtabi i emergjencave thonë se kjo ka ardhur pasi ditën e djeshme ka pasur një sasi të konsiderueshme shkarkimesh dhe prurjesh nga lumenjtë Kir dhe Gjadër. Në fshatin Obot, komunën e Dajçit si dhe atë të Velipojës nuk mund të qarkullohet lirisht me automjete. Në Obot lëvizja bëhet vetëm me mjete lundrimi, ndërsa në Dajç dhe Velipojë duhen mjete të larta të ushtrisë, pasi niveli i ujit mbi arrin mbi 70 cm. Madje, edhe mjetet fuoristrada, me të cilat udhëtonin dje ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe përfaqësues të tjerë të shtabit të emergjencave, nga Velipoja në drejtim të Daragjatit, për pak janë bllokuar pranë Urës së Dedë Gjo Lulit. Mjetet e larta dhe në gjendje të mirë pune e shpëtuan ministrin, pa iu shuar motorët e makinave. Ky incident u shënua në kohën kur ministri po inspektonte nga afër zonat që po përballen me përmbytjen e dytë.
Sipërfaqja e tokës së përmbytur sipas informacioneve të marra nga krerët e njësive vendore dhe Drejtoria Rajonale e Bujqësisë llogaritet të jetë 6750 hektarë. Deri tani 108 shtëpi rezultojnë të përshkuara nga uji dhe 805 të tjera janë të rrethuara nga uji. Janë evakuuar gjithsej 375 persona, të cilët kryesisht janë larguar tek të afërm të tyre. Operacionet e evakuimit, shpëtimit dhe transportit të komunitetit po kryhen nga strukturat e Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit. Në Daragjat të Komunës Dajç dhe në ças të Komunës Velipojë po punohet për përforcimin e argjinaturave, ndërsa në Ashtë të Komunës Bushat kanë përfunduar punimet për ndërtimin e një prite dhe për forcimin e vendit ku rrezikohej shembja e disa shtëpive. Kjo pritë është futur rreth 10 metër në rrjedhën e lumin Drin, duke bërë që lumi të ketë një lëvizje normale dhe të zhvendoset nga gërryerja e tokave duke shpëtuar 10 shtëpitë nga shembja e sigurtë. Punimet që po kryhen në këtë fshat u inspektuan nga ministri Basha, kreu i Emergjencave, Alfred Olli si dhe pushtetarë vendorë. Vetëm për ndërtimin e kësaj prite janë hedhur me qindra ton zhavorr, materiale inerte, këto të fundit të marra nga prishja e bunkerëve që kanë arritur të devijojnë rrjedhën e lumi Drin. Në komunën e Bushatit, konkretisht në Malin e Jushit, ministri urdhëroi menjëherë forcat e ushtrisë që të sjellin varkat për të evakuuar banorët. Disa shtëpi janë ndërtuar në një zonë fushore, e cila ndodhet poshtë nivelit të rrugës nacionale Shkodër-Lezhë, në drejtim të Torovicës, çka ka sjellë mbulimin e tyre nga uji. Situatë e rënduar është në zonën e Daragjatit, ku vetëm 40 cm duhen që uji ta kapërcejë argjinaturën e të vërshojë drejt fshatit. Sipas ministrit Basha në fshatin Obot dhe në fshatrat e komunës Dajç gjatë ditës së djeshme ka filluar puna për shpërndarjen e ujit të pijshëm për familjet, të cilat kanë probleme me ujin e pijshëm. Ndërkohë që në varësi të situatës po shikohet edhe mundësia e furnizimit me ushqime apo dhe me nevoja të tjera që mund të kenë banorët e Nënshkodrës.
Fusha e Maliqit, uji 3 metra
KORçE - Bilanci i dëmeve nga përmbytja e tokave në fushën e Maliqit ende nuk është verifikuar, ndërsa fermerët nuk kanë shpresë për ndonjë kompensim nga shteti. Më shumë se 2500 ha toke nga afro 5 mijë gjithsej që ka kjo fushë, janë nën ujë. Niveli i ujit në mjaft vende arrin deri në tre metër. Gjendja e krijuar në tokat e fermerëve u konfirmua dje edhe nga deputetët e PS-së, Alfred Dalipi dhe Mimi Kodheli. Së bashku me drejtues të komunave të Libonikut, Pirgut dhe Vreshtasit, deputetet Dalipi dhe Kodheli i bënë apel Qeverisë që të hedhë sytë edhe në këtë zonë. Sipas tyre, kjo zonë ka jo më pak dëme se përmbytjet në veri. “Këtu ndihet mungesa e shtetit, i cili nuk ka ardhur të verifikojë dëmet e shkaktuara nga përmbytja. Edhe lumi Devoll kur del nga shtrati është i rrezikshëm po aq sa edhe Drini. Ujërat e Devollit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në fushën e Maliqit” u shpreh Dalipi. g.a