E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi shqiptar i drogës, Italia kërkon 4 ekstradime nga Greqia



TIRANE – Prokuroria e Antimafias italiane kërkon ekstradimin në Leçe, të tre shtetasve grekë të arrestuar gjatë aksionit antidrogë “Lindja e Diellit”, i cili u shtri në Itali, Greqi, Shqipëri dhe Belgjikë. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare, të cilat thanë se për llogari të Prokurorisë italiane në Shqipëri u arrestuan pesë persona, ndërsa nëntë të tjerë u shpallën në kërkim. Ata mësohet se do të gjykohen në Tiranë, pasi dosja është transferuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ndërkohë, për të arrestuarit në Greqi dhe në Belgjikë, Prokuroria italiane ka kërkuar ekstradimin e tyre në Itali për t’i gjykuar me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Prokuroria tha se ndaj pesë të arrestuarve dhe katër të shpallurve në kërkim, në Shqipëri, janë ngritur akuzat për “trafikim të lëndëve narkotike”, “krijim të organizatës kriminale” dhe “kryerjes së veprave penale në kuadër të organizatës”. Në Shqipëri, prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia arrestoi tre persona, Artur Demaj, Daniel Likaj dhe Pilo Zanaj, ndërsa iu njoftua akuzë e re dy personave të tjerë të arrestuar më parë, Maringlen Hallka dhe Fatbardh Kapllanaj. Të dyshuarit janë nga Vlora dhe nga Fieri ndërsa akuzohen se me gjashtë lëvizje të skafeve e gomoneve nga bregdeti i Shqipërisë për në brigjet e Salentos në Itali, kanë trafikuar në dy vjet, 1.3 tonë marihuanë. Pesë të dyshuarit akuzohen në kuadër të dosjes “Lindja e Diellit”, e cila mori emrin e aksionit që u zhvillua në katër shtete, Itali, Shqipëri, Belgjikë dhe Greqi me 36 persona të arrestuar. Pesë personat e arrestuar si dhe katër të tjerë tashmë në kërkim, akuzohen se nga viti 2005 deri në 2007 kanë përcjellë për bashkëpunëtorët e tyre në Itali gjashtë ngarkesa me drogë, konkretisht në 2005, një sasi prej 167 kg marihuanë, në vitin 2006 kanë trafikuar në ngarkesa të ndryshme me skafe nga kanali i Otrantos 351 kg drogë, 275 kilogramë dhe 217 kilogramë të tjera marihuanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›