E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: 180 mln USD për ndërtimin e rrugëve rajonale



Qeveria shqiptare ka marrë në formë granti dhe hua të butë, një shumë prej 180 milionë USD për ndërtimin e rrugëve rajonale dhe lokale. Financimi u shqyrtua dje në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Në nisje të kësaj mbledhje, kreu i Këshillit, Genc Pollo tha se "Në këtë mbledhje të këshillit drejtues të FSHZH do të shqyrtojmë financimin e ri për rrugët dytësore që vihet në dispozicion të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, financim me vlerën prej 180 mln USD, i cili i jepet Qeverisë shqiptare në formë granti apo huaje të butë nga Bashkimi Evropian, bankat zhvillimore evropiane. është financimi i dytë, pas atij të parit, që ka qenë në vlerë 107 milionë USD, i mbështetur gjithashtu nga institucionet ndërkombëtare zhvillimore, me të cilin janë realizuar apo janë duke u realizuar 304 km rrugë dytësore dhe lokale". Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave miratoi marrëveshjen për një kredi të butë afatgjatë me vlerë 50 milionë Euro, që i bashkëngjitet financimit të projektit "Rrugët Rajonale dhe Lokale".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›