E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, ministrat e BE mbështesin Shqipërinë



ADI SHKEMBI

Ministrat e Brendsh-ëm dhe të Drejtësisë të Bashkimit Evropian vlerësojnë progresin e Shqipërisë në drejtim të liberalizimit të vizave. Në mbledhjen e Këshillit të BE-së me ministrat e Brendshëm dhe ata të Drejtësisë, ministri Lulzim Basha informoi mbi progresin e Shqipërisë në tre blloqet kryesore të kritereve për liberalizimin e vizave, sigurinë e dokumenteve të identitetit, sigurinë e kufijve dhe luftën kundër kriminalitetit. Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme "Basha u bëri të ditur përfaqësuesve të vendeve anëtare se Shqipëria lëshon tashmë për qytetarët e saj dokumente identiteti të sigurisë më të lartë, sipas teknologjisë më moderne dhe standardeve më të larta të BE-së, zotëron një sistem modern të kontrollit kufitar, të unifikuar dhe të ndërlidhur me bazën e të dhënave të informacionit kriminal dhe me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, dhe se bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe strukturave policore të vendeve të BE-së, në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme është në nivele të shkëlqyera dhe ka dhënë rezultate të dukshme". "Shqipëria ka bërë progres të shpejtë e të qëndrueshëm në plotësimin e të gjithë kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, si dhe krahasuar me tre vendet e Ballkanit Perëndimor që përfituan së fundi nga ky proces. është e rëndësishme që menjëherë pasi Komisioni të përgatisë raportin, dhe të paraqesë për mendim te vendet anëtare, të ruhet ritmi i axhendës si me valën e parë të liberalizimit të vizave, - u shpreh Basha. Nga ana e tyre, ministrat e BE-së vlerësuan progresin e bërë nga Qeveria shqiptare dhe sidomos arritjet në fushën e sigurisë së dokumenteve dhe modernizimit të kontrollit të kufirit. "Na duket se pa qenë nevoja për të qenë ekspert, Shqipëria po ndjek një rrugë që është inkurajuese dhe optimiste. Unë i thashë ministrit shqiptar se janë disa vështirësi që duhen kapërcyer dhe e pashë që ai ishte i vendosur për të ndjekur rrugën që i është propozuar nga Bashkimi Evropian", u shpreh ministri francez Besson. Gjatë ditës së djeshme ka përfunduar edhe vëzhgimi i çështjeve të rendit publik dhe sigurisë në Shqipëri, blloku i dytë i pyetësorit. Pak ditë më parë ekspertët e KE-së kanë kontrolluar plotësimin e kritereve në bllokun e tretë kontrollin e kufijve, ndërkohë që në dhjetor u kalua me sukses kontrolli mbi sigurinë e dokumenteve të identifikimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›