E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, Elbasani mbyll sezonin me 0 të vdekur

04/09/2009  Masat e rrugorëve: 101 leje drejtimi të pezulluara dhe 4360 gjoba

Drejtori i policisë Elbasan, Arben Gjedia: Ndërhyrja drastike minimizoi rastet tragjike

ELBASAN-Një ndër rrethet që duhet marrë shembull për mungesën e viktimave të aksidenteve është Elbasani. Kështu gjatë muajit më të vështirë dhe me fluksin më të madh të qarkullimit, gushtit, në rrethin e Elbasanit nuk u regjistrua asnjë aksident me vdekje, por vetëm një i plagosur rëndë. Kjo sipas drejtuesit të Qarkullimit pranë komisariatit të Elbasanit, Arben Gjedia, ka ardhur pasi masat e marra qysh para mbërritjes së sezonit kanë qenë drastike me qëllim parandalimin e aksidenteve. “Ne e kemi pasur objektiv tonin kryesor parandalimin e aksidenteve”, thekson Gjedia teksa nuk e anashkalon patrullimin dhe kontrollin e shërbimeve të qarkullimit jo vetëm brenda qytetit, por edhe në rrugët nacionale. Masat e forta dhe një prani e efektivave të qarkullimit përgjatë të gjitha segmenteve të vështira ku shfrytëzohet shpejtësia dhe ku ka më tepër fluks ka bërë që të mos ketë pasoja të rënda për jetën. Gjedia shton gjithashtu se masat kanë qenë drastike për sa i përket pezullimit të lejeve të drejtimit. Kështu janë pezulluar gjithsej 101 leje drejtimi automjetesh për shkelje të tilla si përdorimi i pijeve alkoolike, tejkalim i normës së shpejtësisë, mosrespektim të semaforëve, qarkullim në drejtim të kundërt etj. Pezullimi minimal i patentave është vendosur 3 muaj në bazë të Kodit Rrugor. Gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar gjobat për shkelje të ndryshme. Sipas specialistëve të qarkullimit, gjobat janë vendosur kryesisht për mosvënie të kaskës mbrojtëse në 297 raste, mospërdorim të rripit të sigurimit në 1094 raste, përdorim të telefonit gjatë drejtimit në 184 raste, tejkalim të normave të shpejtësisë për 533 drejtues dhe 402 gjoba për parkim të gabuar. Sipas drejtuesit të qarkullimit, masat kanë shërbyer mjaft dhe kanë dhënë efektin për parandalimin e aksidenteve. Sipas Gjedias, muaji gusht me fluksin më të madh të mjeteve për shkak të kthimit të emigrantëve dhe turistëve ka kaluar pa probleme serioze. Fatmirësisht aksidentet me pasoja kanë qenë të pakta dhe gjatë muajit gusht nuk është regjistruar asnjë me vdekje. Situata në ditët e para të muajit gusht po shkon drejt normalizimit, por gatishmëria e efektivave do të jetë e plotë dhe masat të rrepta.

Akset problematike

Qyteti i Elbasanit ka një sinjalistikë të kënaqshme dhe midis Policisë Rrugore dhe bashkisë ka një komunikim të vazhdueshëm mbi sinjalistikën dhe mbi disiplinimin e qarkullimit dhe parkimit. Po kështu në bashkëpunim me Policinë Bashkiake vendosen masa për parkim të gabuar që bëhen shkak për bllokim të rrugëve dhe të qarkullimit në qytet. Segmentet më të ngarkuara mbeten rruga prefekturë-shkolla Pedagogjike, rruga “Rinia” dhe Kryqëzimi i Cërrikut. Këto rrugë janë më të patrulluarat për të evituar trafikun.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›