Kryesia e PS, Rama: Bojkot i kushtëzuar i Kuvendit
TIRANE-
Blushi: Bojktoi alibi e Ramës, kushtet të paqarta
Ora:22:52- Anëtari i kryesisë Ben Blushi e ka konsideruar vendimin e sotëm të Kryesisë si të pakuptim dhe të paqartë.
“PS nuk do marrë pjesë në Parlament për kushte të paqarta, një pjesë e madhe e anëtarëve të Kryesisë ishin kundër bojkotit” u shpreh Blushi.
Sipas Blushit, vendimi për bojkot të Kuvendit është shprehje e qartë e fshehjes pas alibive për interesa personale të Ramës.
Kryesia e PS, Rama: Bojkot i kushtëzuar i Kuvendit, fjalën e fundit Grupi parlamentar
Ora:22:39- Kanë mjaftuar 2 orë e 20 minuta që kryesia e PS të marrë një vendim në lidhje me bojkotimin e Kuvendit të ardhshëm që pritet të fillojë punimet pasditen e së hënës. Mësohet se tashmë, pjesa më e madhe e anëtarëve të kryesisë kanë dalë nga salla e mbledhjes ndërkohë që kreu socialist ka bërë të ditur se do të ketë një bojkot të kushtëzuar të parlamentit ndërkohë që fjala e fundit do ti mbetet grupit parlamentar gjatë mbledhjes së nesërme.
Duke e cilësuar legjislativin e ri si Kuvend me legjitimitet të cunguar, Kreu Socialist deklaroi se PS nuk mund të jetë pjesë e jetës parlamentare. Megjithatë Rama theksoi se fjalën e fundit për pjesëmarrjen apo jo të socialistëve në seancën e parë të Kuvendit , ditën e hënë, do ta ketë grupi parlamentar i cili pritet të mblidhet nesër paradite.
“Grupi parlamentar ka fjalën e fundit. Por sot Kryesia vendosi ti përcjellë grupit parlamentar propozimin për një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin. PS pjesë e Parlamentit pasi shumica e tij të plotësojë kushtet që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe kuadrin e demokracisë dhe garës demokratike në vendin tonë. ” u shpreh Rama për gazetarët menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë.
Bojkot Kuvendit, PS mbledh Kryesinë për të marrë vendimin zyrtar
Ora: 21:45-Dy orë pas fillimit të mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste mësohet se diskutimi po vazhdon me ritme te qeta , ndërkohë që pritet vendimi për bojkot të Kuvendit. Gjithcka vazhdon të jetë me dyer të mbyllura, ndërsa sipas burimeve në selinë e PS-së, pritet që mbledhja të zgjasë.
Ora:19:14-Partia Socialiste ka mbledhur kryesinë e saj për të përcaktuar në mënyrë përfundimtare qëndrimin e saj karshi legjitimitetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe pjesëmarrjes së grupit të saj parlamentar në të. Ka nisur kështu mbledhja e Kryesisë për të marrë një vendim nëse socialistët do të bojkotojnë apo jo Kuvendin.
Në bazë të rezolutës ende të pazbardhur plotësisht të Kongresit të Jashtëzakonshëm që mbajti punimet një javë më parë, është mbledhur kryesia e PSSH-së, për të përcaktuar pikërisht marrëdhëniet e grupit të ri parlamentar me institucionin e Kuvendit.
Ndërkohë, vendimi që do të marrë kryesia do të konsultohet nesër edhe me grupin parlamentar që pritet të mblidhet gjatë paradites.
Ajo që pritet të diskutohet në mbledhjen me dyer të mbyllura të kryesisë janë pikërisht tre opsionet që ekzistojnë dhe që janë përfolur më shumë mes vetë socialistëve dhe që kanë të bëjnë pikërisht me pozicionimin e grupit kuvendor socialist kundrejt legjislativit të ri.
Natyrisht, opsioni më i mundshëm që pritet të miratohet është ai që është mbrojtur fort gjatë këtyre ditëve edhe nga kryesocialisti Edi Rama, pra bojkotimi total i punimeve të Kuvendit.
Përballë këtij opsioni qëndrojnë grupi i anëtarëve të kryesisë, të cilët në kongres u shfaqën si kundërshtarë të kryetarit në detyrë, Edi Rama, të cilët mbështesin rezolutën e Asamblesë Kombëtare dhe jo atë të Kongresit, duke kërkuar pjesëmarrjen e deputetëve socialistë në Kuvend.
Si një alternativë e mesme, që mund të përafronte dy qëndrimet e tjera, bëhet e ditur se është edhe ai i pjesëmarrjes në Kuvend ditën e hënë për të bërë betimin, si një akt që do të legjitimonte mandatet e gjithë të zgjedhurve socialistë, dhe largimin më pas deri në përmbushjen e kërkesave të PS-së për hetimin e shkeljeve elektorale.
Në rast se forumet partiake përgjegjëse, pra kryesia dhe grupi parlamentar, do të miratojnë alternativat e bojkotit të Kuvendit, atëherë PS-ja ka gati edhe kushtet që do t'i vërë Partisë Demokratike si mundësia e vetme për t'u kthyer në të.
(e.n/BalkanWeb)