E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembjet, banorët kërcënojnë me vetëflijime

04/09/2009  Banorët kundërshtojnë prishjen e banesave për rikonstruksionin e rrugës “28 Nëntori”

Para pak muajsh një grua preu damarët. Të dëmtuarit kërkojnë dëmshpërblim

BERAT-Me pengesa dhe probleme po vazhdon rikonstruksioni i rrugës “28 Nëntori” në lagjen periferike të “Uznovës”, në qytetin e Beratit. Banorët kanë kundërshtuar me forcë fadromën e policisë për prishjen e objekteve të tyre, ndërsa disa të tjerë kërkojnë shpërblim të dëmeve të shkaktuar që iu kanë kushtuar miliona lekë. Sipas drejtuesit të punimeve, Vladimir Agalliu, bëhet e ditur se me investimin prej 132 milionë lekësh është parashikuar rikonstruksion i shtrimit dhe asfaltimit të rrugës me gjatësi 316 metër linear, gjerësi 7 metër dhe 1 metër trotuar. Edhe pse afati i punimeve në këtë rrugë do të kishte përfunduar pengesa ka ardhur nga banorët e kësaj lagjeje që kundërshtojnë prishjen e objekteve për të liruar sheshet e ndërtimit. Zona e “Uznovës” njihet si zonë informate, ndërsa banorët thonë se objektet e tyre janë brenda vijës së verdhë dhe me dokumentacionin që ata disponojnë janë brenda rregullave. Të indinjuar banorët shprehen se nuk do të lejojnë prishjen e banesave të tyre. Njëri prej banorëve Edmond Hoxha shprehet se shtëpinë e ka me dokumente dhe nëse bashkia do t’i prishë shtëpinë, atij duhet t’i japin dokumente për dëmshpërblimin në radhë të parë që ai të ketë mundësi të ndërtojë shtëpi tjetër. Gjendja në familjen Hoxha ka qenë më e vështirë për faktin se që në momentin para disa muajsh kur familja Hoxha mori lajmërimin se do t’ju prishej shtëpia bashkëshortja e Edmondit, Adriana preu damarët dhe tentoi të vriste veten. Që nga ai moment bashkia u tërhoq për të mos krijuar tragjedi në këtë familje me 3 fëmijë ndërsa para dy ditësh Edmondit i është komunikuar sërish urdhri për prishjen e shtëpisë së tij. Por ai shton se do të kundërshtoj deri në fund mosprishjen e pjesës së banesës së tij që mendohet të jetë dhe trotuar i rrugës në lagjen e tij.

BANORËT

Shumë banorë që kanë prishur tashmë pjesë të banesave të tyre kërkojnë dëmshpërblim nga Bashkia, ndërsa bëjnë të ditur se nuk do të lejojnë me kaq problemin që iu është hapur. Sipas tyre, në projektin që po vazhdon ka dhe devijime pasi disa banesa nuk po prishen për t’u kryer zgjerimi i rrugës si në segmente të tjera saj. Po sipas supervizorit Agalliu rruga është ndarë në dy segmente ku njëra pjesë do të jetë më e gjerë se tjetra për këtë banorëve të dëmtuar iu ka lindur dyshimi se nuk po veprohet drejt. Sipas tyre, bashkia ca po i trajton si të nënës dhe ca si të njerkës, ndaj ata thonë se nëse pjesa tjetër e rrugës nuk do të ketë gjerësi 7 metër asfalt dhe 1 metër trotuar ata do t’i çojnë shtesat e tyre atje ku i kishin më parë. Ndërsa shtojnë se do të mbrojnë me gjak çdo pjesë të pronës së tyre që po u merret padrejtësisht vetëm për faktin se kjo lagje quhet informale. Banori 80-vjeçar i kësaj lagjeje, Adem Xhako, thotë se rruga që po ndërtohet nuk ja vlen, pasi janë dëmtuar shumë banorë të lagjes “Uznovë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›