E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Temalit: Ndaloni shkatërrimin e pyjeve

04/09/2009  Nga prerjet pa kriter

SHKODER- Banorët e komunës Temal i kanë shprehur shqetësimin e tyre prefektit të qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu, në lidhje me fenomenin e shkatërrimit të pyjeve të zonës së tyre nga sëpata e personave të papërgjegjshëm. Sipas tyre, ka disa ditë që pylli në malin e Fejzës po pritet pa asnjë kriter. Ndërkohë banorët vetëm sa po shohin me pikëllim jo vetëm pyllin që po dëmtohet, por dhe mjaft kamionë që lëvizin lirisht me drurët e prerë. Shqetësimi më i madh i banorëve lidhet me prerjen edhe të fidanëve të rinj të mbjellë jo shumë vite më parë, që tashmë nuk e kalojnë trashësinë e 25 centimetrave. Prerja e këtyre pyjeve të reja, krahas drurëve më të vjetër po shpie në zhdukje të pyllit në malin e komunës Temal shprehen banorët. Sipas banorëve të komunës Temal, në zonën e tyre po qarkullojnë rreth 20 automjete të rënda më drurë të prerë me targa të Shkodrës, malësisë së Madhe, Lezhës, Kosovës, madje dhe pa targa, por askush nuk po i ndalon. Pas ngritjes së këtij shqetësimi nga banorët e Temalit, prefekti i qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu, ka organizuar një takim urgjent me një grup pune të përbërë nga përfaqësues të Policisë Pyjore, të policisë së shtetit, të Policisë së Qarkullimit Rrugor të komunave përkatëse. Prefekti Cungu u kërkoi atyre që të evidentonin urgjentisht situatën e krijuar dhe nëse konstatohet se ka të tilla shkelje të rënda të punojnë për kapjen dhe nxjerrjen para drejtësisë të personave që po abuzojnë dhe po shkatërrojnë jo vetëm pyjet e Temalit, por në të gjitha zonat pyjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›