E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplaset mjeti me verandën e barit, aksidentohen 5

04/09/2009  Të lënduarit ishin klientë, ndërsa benzi ka përshkuar trotuarin duke i marrë para

DURRES- Pesë qytetarë janë bërë viktima të një aksidenti të ndodhur dje në orët e paradites teksa burrat po pinin kafe në një bar në mes të qytetit të Durrësit. Autovetura tip Benz 200 dhe pronarë 61-vjeçarin Nadir T. ka hipur në trotuar duke kërcënuar edhe jetën e personave që pinin kafe jashtë lokalit.

Aksidenti

Kafeja ku ka ndodhur aksidenti është fare pranë kryqëzimit të rrugës “Skënderbej” me rrugën e kryesore stacioni i trenit- Mauzoleum dhe në kohën e aksidentit jashtë lokali kanë qenë tre tavolina plot me qytetarë që pinin kafen e mëngjesit. Autori i aksidentit është larguar menjëherë për t’u kapur rreth 300 m më tej nga policia, e cila e ka ndjekur nga pas me fugonin e saj. Të dëmtuarit kanë pësuar fraktura në këmbë e në trup, kurse veranda e lokalit është rrëzuar në trotuar sapo është goditur nga Benzi. Në kohën që mjeti ka humbur kontrollin mjeti ka kapërcyer pragun që ndan rrugën me trotuarin dhe për pasojë ka thyer vazot dekorative para lokalit, janë shkulur pemët e mbjella aty pranë si dhe një mjet tjetër i parkuar është dëmtuar si nga përplasja me benz-in edhe nga rënia e peshës së verandës me formacion të hekurt. Pesë burra kanë qenë duke pirë kafe në një nga tavolinat jashtë lokalit në trotuar dhe të gjithë kanë qenë të shkujdesur në çastin e aksidentit. Shtetasit I. Papa 29 vjeç, I. Zeqo 48 vjeç, K. Koçi 69 vjeç, A.Muça 38 vjeç dhe 20-vjeçari Sh. Noshi kanë marrë plagë edhe në kokë duke u shkaktuar hemorragji. Kalimtarët që kanë qenë në ato momente fare pranë vendit të ngjarjes, si dhe qytetarë të tjerë kanë afruar ndihmë për transportimin e të plagosurve për në spital, ndërkohë që shtetasi Nadir T. ka lënë mjetin dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Në kohën e aksidentit në rrugën “Skënderbej” patrullonte një fugon i policisë, efektivat e të cilit janë vënë në ndjekje të autorit të aksidentit dhe kamë mundur ta ndalojnë rreth 300 m më tej. 61-vjeçari Tushaj me banim në Plazh ka thënë në polici se kishte humbur kontrollin dhe se në kohën që sapo kishte hyrë në kthesë në vend të frenave kishte vënë këmbën në pedalin e gazit. Kjo ka mjaftuar që benzi të kalojë me jo shumë pengesë bordurën që e ndante nga trotuari dhe të përplaste në mur nga karriget e tavolinës së lokalit të pesë qytetarët që pinin kafe. Mjekët e pavijonit të pranimit të urgjencave kanë thënë se të aksidentuarit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa krahas frakturave kanë pësuar shembje të trupit.

Tronditet Durrësi

Brenda ditës 9 të plagosur

nga aksidentet rrugore

Dy-tri javë më parë tre pushues nga Tirana janë ngjeshur në murin e kangjellave të rezidencës së Ministrisë së Brendshme në afërsi të plepave si pasojë e humbjes së kontrollit nga drejtuesi i një mjeti. Pushuesit po bisedonin në qejfin e tyre teksa automjeti pasi ka dalë nga rruga rreth 4-5 m ka kërcënuar jetën e tiranasve pushues në Kovalishencë. Dje në rrugët e brendshme të Durrësit kanë ndodhur një numër jo i vogël aksidentesh, një pjesë e të cilëve me pasoja të rënda. Shtetasit Ali Cemenja 29 vjeç dhe Agim Pasha 38 vjeç janë në reanimacionin e spitalit të Durrësit, pasi janë dëmtuar në një aksident të rëndë. Mjeti tip Golf dhe Benz 240 të drejtuar nga të aksidentuarit janë përplasur mes tyre në rrugën e Kënetës, e cila lidh unazën e re të qytetit të Durrësit me mbikalimin në Shkozet. Pak orë më pas mjeti BC 667 VA është përplasur në rrugën stacioni trenit-shëtitore “Taulantia” me anën e bordurës pranë lagjes 3. Për pasojë ka mbetur i dëmtuar rëndë shtetasi B.Lutfiu 21 vjeç, banues në lagjen numër 1 të Durrësit. Në gjendje të rëndë dhe nën terapi intensive gjendet edhe shtetasi Dritan meta 28 vjeç nga Katundi Sukth, pasi motori i tij doli na rruga dhe u përplas në anë të bordurës. Lënia e rrugëve të hapura ka dëmtuar edhe sistemin kabllor të shtrirë në kohën e sistemimit të rrjetit inxhinierik. Inspektorati i policisë së qarkullimit rrugor vijon të mos e mbajë nën kontroll situatën edhe tani që rrugët e qytetit janë shumë më të lira pas largimit të emigrantëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›