Aksidentet, Spitali Ushtarak pret 100 raste në ditë
Mjeku Olldashi: ”Ky fillimviti, më i përgjakuri nga aksidentet”. Më të dëmtuarit janë nga makinat dhe pakujdesia në punë, sidomos në ndërtim
Emanuela Sako
Aksidentet me pasojë vdekjen dhe dëmtime të rënda fizike kanë ardhur në rritje. Numri i të dëmtuarve për këtë fillimviti po shënon gjithmonë e më shumë shifra alarmante. Qendra e Traumës në Spitalin Ushtarak numëron çdo ditë deri në 100 pacientë të aksidentuar në rrethana të ndryshme. Statistikat tregojnë se shumica e tyre vijnë nga aksidentet rrugore, ndërsa vendin e dytë e zënë aksidentet në punë. Drejtori i Qendrës së Traumës në Spitalin Ushtarak, Fatos Olldashi, deklaroi për gazetën “Albania” se vetëm në dy muaj kanë ndodhur dhjetëra aksidente dhe ky vit mund të konsiderohet si një ndër fillimvitet më të përgjakura nga aksidentet. Sipas tij, 50 për qind e të aksidentuarve që paraqiten në këtë spital janë të dëmtuar nga aksidentet automobilistike, ndërsa pjesën tjetër e përbëjnë të dëmtuarit në punë apo aksidente të ndryshme me thyerje të gjymtyrëve, hundës etj.
Shkaktarët
Shkaktarët e aksidenteve janë të shumtë, duke u nisur nga mënyra e aksidentimit. Ajo që është më tepër problematike në aksidentet rrugore është shpejtësia mbi normat e lejuara dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit. Mungesa e sinjalistikës në disa vende apo rrugë nacionale shpeshherë është bërë shkak që shumica e personave të humbasin jetën. Një arsye tjetër është edhe alkooli, pasi shoferët drejtojnë automjetet në gjendje të dehur. Ndërsa në të dëmtuarit në ambiente pune, vendin e parë e zënë punëtorët e ndërtimit, të cilët nuk janë të siguruar mirë gjatë punës në lartësi dhe numri i viktimave vetëm në dy muaj ka arritur në 32 persona. Po kështu, edhe pakujdesia është një faktor që ndikon në shtimin e aksidentëve. Sipas të dhënave të organizmave ndërkombëtare që kanë vëzhguar këtë fenomen në vendin tonë për çdo 10 mijë mjete motorike ndodhin 18-20 aksidente, përkundrejt 5 që ndodhin në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Pra, është 3,5 herë më e lartë. Që nga viti 1993 dhe deri tani rezulton të kemi afërsisht 5000 aksidente me afërsisht 7000 viktima, nga këto 3224 të vdekur ose 1 person për çdo kilometër rrugë nacionale si dhe 3800 të plagosur apo të gjymtuar.
Patentat
Një problem shqetësues për të gjithë drejtuesit e automjeteve apo këmbësorët është mungesa e njohjes së dhënies së makinës. Shkak për këtë është bërë dhënia e patentës personave që nuk e meritojnë për arsye të ndryshme: mendore, fizike apo mosnjohjes së automjetit. Mjekët dhe autoshkollat janë ato subjekte që abuzojnë më shumë me këtë çështje. Gjatë kryerjes së vizitave mjekësore, specialistët u japin të drejtën për të vazhduar kursin e patentës edhe atyre personave që nuk janë të aftë për të drejtuar automjetet. Detyrimisht, këta persona, sado të kujdesshëm qofshin, nuk mund t’i shmangin aksidentet në rrugë. Edhe pse kohët e fundit janë marrë masa kundër mjekëve që lëshojnë me firmën e tyre të drejtën për patentë, situata vazhdon të ngelet po e njëjtë dhe aksidentet vazhdojnë të përgjakin rrugët e vendit.
Aksidentet
Çdo ditë 100 aksidente
Aksidentet rrugore 50 për qind
Aksidente në punë 32 viktima
Në dy muaj 5 deri në 6 mijë aksidente
Spitali Ushtarak pajiset me oksigjen, të hënën nisin operacionet
Pas skandalit për mungesën e oksigjenit në Spitalin Ushtarak, duket se çështja ka gjetur shpejt zgjidhje. Ditën e hënë pritet që operacionet të kryhen normalisht, duke siguruar sasitë e nevojshme të oksigjenit. Mjekët pohojnë se kjo gjendje është e përkohshme dhe problemi qëndron te tenderat. Për këtë arsye u krijua edhe mungesa e oksigjenit në të gjithë spitalin.
Një pjesë e operacioneve janë shtyrë dhe do të kryhen në një afat më të shpejtë. Ndërsa operacionet për ushtarakët apo familjarët e ushtarakëve janë kryer edhe gjatë javës që u pezulluan të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale. Oksigjeni nuk ka munguar vetëm në urgjencë, ku janë pritur rastet emergjente të të sëmurëve rëndë nga aksidente të ndryshme. Për mjekët, sasia e oksigjenit ka qenë tepër e pakët dhe ajo është ruajtuar për të siguruar urgjencat. Sipas specialistëve, të ardhurit nga rrethet janë detyruar që të presin për një afat tjetër, pasi ata kanë të drejtën e kurimit edhe në spitalet civile. Disa pacientë janë detyruar të shkojnë në QSUT, ndërsa të tjerë kanë pritur një afat të dytë, derisa spitali të krijojë kushtet për operacione. Mungesa e barnave apo aparaturave është kthyer në një ritual të zakonshëm në spitalet e vendit. Janë pacientët ata që e nxjerrin veten nga situata të vështira, duke i siguruar barnat për kurimin e tyre. Ndërkohë, çështja e tenderave mbetet problem i vazhdueshëm në furnizimin e spitaleve me barna.
15 Mars 2008