Bonot e thesarit, ku dhe si investohen për të fituar
Për t’u bërë pjesë e ankandit mjaftojnë 300 mijë lekë. Shuma duhet të jetë e bllokuar në bankë për të fituar interesin
Ervin Koçi
Bonot e thesarit dhe obligacionet e tjera të këtij lloji, janë elemente fitimprurëse për cilin do individ që mëson t’i përdorë dhe investojë ato. Ato janë një alternativë e pastër investimi dhe fitimi. Kështu, çdo individ madhor mundet të bëhet pronar i bonove të thesarit dhe më pas t’i investojë ato. Për këtë mjafton një shumë prej 300 mijë lekësh e bllokuar në një nga bankat private në Shqipëri dhe secili mundet të fitojë interesat që ofrojnë bonot e thesarit pa marrë përsipër asnjë rrezik (risku zero). Pjesëmarrësit në ankandet për bono thesari janë: bankat, institucionet financiare ose jofinanciare, si dhe individë vendas apo të huaj. Individi që kërkon të marrë pjesë në ankand, për të parë leverdishmërinë mjafton që vetëm të krahasojë interesin e depozitave bankare me interesin e bonove të thesarit dhe të vendosë se ku do t'i investojë paratë e tij. Mundësitë janë të ndryshme si p.sh. t'i lësh parë në bankë në formën e depozitës dhe të fitosh nga përqindja bankare, apo të blesh bono thesari dhe t’i qarkullosh në ankande. Investitorët blejnë bono thesari me një çmim blerjeje që është më i vogël se vlera nominale. Diferenca midis vlerës nominale dhe çmimit të blerjes është interesi i fituar. Qeveria shqiptare emeton aktualisht dy lloje letrash me vlerë: bono thesari dhe obligacione. Bonot e thesarit tregtohen për periudha 3,6 dhe 12-mujore, ndërsa obligacionet kanë periudha maturimi më të gjata se 2,3 dhe 5-vjeçare.
Kushtet për në ankand
Që një individ apo një institucion të marrë pjesë në ankandin e bonove të thesarit duhet që të paraqesë një vërtetim nga banka apo edhe institucione të tjera të lejuara me ligj, ku të shprehet se subjekti ka bllokuar një shumë të caktuar fondesh për blerje të bonove të thesarit (minimumi 300 mijë lekë). Ndërsa individët që kanë planifikuar që kursimet e tyre t'i investojnë duke blerë bono thesari në një nga sportelet e bankave tregtare që ofrojnë këtë shërbim, kufiri për të investuar duhet të jetë mbi 300 mijë lekë. Për shërbimin që e ofron banka në këtë drejtim duhet të paguhet një komision që varion nga 1000 deri në 3000 lekë. Me këtë vërtetim subjekti mund të paraqitet pranë sporteleve të bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri ose pranë sporteleve të Bankës së Shqipërisë për të marrë pjesë në ankandet e bonove të thesarit. Kur personi nuk ka njohuri lidhur me bonot e thesarit, pranë sporteleve të bankave mundet të marrë edhe asistencën e nevojshme që kërkohet për të marrë pjesë në ankand. Aty individi plotëson edhe një kërkesë, në të cilën specifikohet periudha e kohës për maturim të bonos së thesarit. I gjithë procesi i shitjes së bonove të thesarit është i hapur dhe publiku informohet për datën e zhvillimit të ankandeve, shumat për të cilat ka nevojë qeveria, periudhat e maturimeve të bonove të thesarit etj. Të dhënat lidhur me bonot e thesarit publikohen edhe në faqen e internetit të BSH-së , në Televizionin Publik Shqiptar, në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe agjencinë e lajmeve “Reuters” si dhe në faqen e internetit të Ministrisë së Financave ëëë.minfin.gov.al.
Ankandet, kur dhe kush i zhvillon
Si rregull ankandet për shitjen e bonove të thesarit zhvillohen çdo ditë të martë; për bonot e thesarit me maturim 3-mujor çdo javë; për afatet 6- dhe 12-mujore çdo dy javë. Afati maksimal i dorëzimit të kërkesave është ora 09.00. Kërkesat merren në shqyrtim nga një komision i përbashkët me specialistë nga BSH-ja dhe Ministria e Financave. Si një mjet investimi apo si një nevojë për fonde, bonot e thesarit mbartin një periudhë plotësisht të përcaktuar kohe. Kështu, dallohen tri periudha maturimi për bonot e thesarit 3, 6 dhe 12-mujore. Bonot e thesarit mund të mbahen deri në maturim, mund të riinvestohen, ose mund të shiten para datës së maturimit. Zotëruesi i bonove të thesarit, bankë apo individ, mund t'i riinvestojë ato duke paraqitur një kërkesë, pa qenë nevoja për vërtetim bankar mbi bllokimin e shumës, kur fondet për financimin e riinvestimit mbulohen me bonot e thesarit që maturohen. Në qoftë se një investitor do të rrisë investimin e tij, atëherë duhet të depozitojë një shumë shtesë dhe të marrë vërtetim nga banka tregtare. Interesi i fituar nga bonot e thesarit është subjekt i mbajtjes së tatimit. Për vendasit tatimi i aplikuar është 10 për qind, ndërsa për të huajt është 15 për qind. Tregu me pakicë lejon zotëruesit e bonove të thesarit t'ia shesin ato, tërësisht apo pjesërisht, një bankë tregtare para datës së maturimit.
Bonot, mjete monetare pa formë dhe pamje
Në praktikën shqiptare bonot nuk kanë pamje apo formë fizike. Për kushtet shqiptare është parashikuar thjesht një dokument i titulluar "Vërtetim mbi shpalljen fitues", i cili nuk ka formë ligjore. Ndërkohë çdo veprim që lidhet me bonot e thesarit regjistrohet në llogarinë përkatëse. Banka e Shqipërisë i mban bonot e thesarit në formën e regjistrimit në llogari, i cili i mbron investitorët e bonove të thesarit nga humbjet, vjedhjet, falsifikimet dhe lehtëson kalimin automatik të pagesës nga banka tek investitori në maturim. Në ankandet e bonove të thesarit flasin vetëm letrat dhe nuk është e nevojshme prania fizike e subjekteve që kërkojnë të blejnë bono thesari.
Çfarë janë bonot e thesarit
Bonot e thesarit janë instrumente borxhi nëpërmjet të cilave qeveritë marrin hua, mjete të lira monetare (para) nga publiku. Si çdo huamarrje kuptohet që edhe kjo formë krijon një raport dypalësh. Qeveria nga njëra anë dhe publiku nga ana tjetër. Në çdo raport secili nga palët realizon interesat e veta. Qeveria siguron fonde (krijon borxh) me të cilat kryen një pjesë të shpenzimeve të nevojshme, si dhe për huadhënësit, të cilët për huan që japin marrin një interes të caktuar. Blerësit më të mëdhenj të bonove të thesarit në Shqipëri janë bankat e nivelit të dytë, ndër të cilat veçohet Banka Raiffeisen. Po ashtu blerëse është edhe Banka e Shqipërisë.
Investimi në bono, sa është rreziku real
Rrezikshmëria e investimit në bonot e thesarit është aq e vogël, sa përgjithësisht ato llogariten si elementë financiare me rrezik zero. Rreziku më real për investitorët në Shqipëri vjen nga ulja e vlerës reale të fitimit nga rritja e inflacionit ose rënia e vlerës së lekut kundrejt valutave të huaja. Por stabiliteti makroekonomik i ekonomisë shqiptare (përfundim i nxjerrë nga raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar) bën të mundur që investimi në tregjet financiare shqiptare të ofrojë një rritje reale të të ardhurave, pasi inflacioni vazhdon të mbahet nën kontroll, ndërsa vlera e lekut nuk është e rrezikuar.
15 Mars 2008