E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentat ndaj policit, i zunë pritë përpara shtëpisë së tij

Astrit Pirja, efektiv i Policisë së Beratit, qëllohet me armë zjarri. I plagosuri ruhet me efektiva në spital. Ja dy pistat ku po hetohet ngjarja
BERAT – Sërish në shënjestër të atentateve forcat e Policisë së Rendit, ku kësaj radhe është plagosur një punonjës i Policisë së qarkut të Beratit. Ka qenë ora 23:00 e mbrëmjes së enjte kur efektivi i policisë së Drejtorisë së Policisë së qarkut Berat Astrit Pirja, është qëlluar me armë zjarri përpara portës së shtëpisë së tij. Pasi i ka shpëtuar goditjes vdekjeprurës, duke u mjaftuar vetëm me një plumb në krah, polici i Rendit është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Beratit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Burimet në grupin hetimor bëjnë të ditur se ka dy pista; për ndonjë konflikt brenda familjes, si dhe për atentat për shkak të detyrës.
Ngjarja
Astrit Pirja është ndodhur në pritë sapo ka dalë nga shtëpia për të shkuar në komisariat, pasi ishte me shërbim në turnin e natës. Sipas të dhënave të para zyrtare, është qëlluar me armë zjarri teksa po hipte në makinën e tij, tip “Fiat Punto”, me targa BR 4225 A. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me 4 plumba pistolete tip “TT” në drejtim të tij. Efektivi i strukturave të Rendit është përpjekur t’i shpëtojë plumbave, duke u hedhur në një kanal të madh me ujë që ndodhej në afërsi të shtëpisë së tij. Për pasojë, vetëm njëri prej tyre i ka përshkuar krahun e majtë. Të tre plumbat e tjerë kanë qëlluar mbi kofmen e makinës së tij dhe në xhamin e përparmë të mjetit.
Rreth orës 23:30 të mbrëmjes Pirja është sjellë në spitalin e qytetit dhe një orë më pas, me ndërhyrjen e mjekëve i është ndërprerë hemorragjia dhe është futur në sallën e operacionit. Aktualisht efektivi Astrit Pirja, babai i dy fëmijëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën, në dhomën nr. 8 të Repartit të Kirurgjisë të Spitalit Rajonal të Beratit. Dhoma ku ndodhet i plagosuri po mbahet nën ruajtje nga dy punonjës police të qarkut të Beratit.
Hetimi
Që prej mesnatës Pirja është marrë në pyetje nga kolegët e tij, por 38-vjeçari nuk ka pohuar ende asnjë fakt që të ndihmojë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Burimet zyrtare të policisë kanë pohuar se po hetohen dy pista; ajo e një konflikti brenda familjes, apo ndonjë larje hesapesh. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonjë atentati për shkak të detyrës.
Ekspertët e Policisë së Beratit, të ndihmuar edhe nga prokuroria, kanë nisur hetimet intensive për zbardhjen e plotë të këtij rasti. Dëshmia e Astrit Pirjas si dhe të dhëna të tjera pritet të ndihmojnë në gjetjen e autorëve.

Ndalohet, aksidentoi për vdekje 48-vjeçaren

FIER - Një 48-vjeçare, banuese në fshatin Fermë –Çlirim rreth tre km larg qytetit të Fierit, gjeti vdekjen mbrëmjen e së enjtes si pasojë e një aksidenti automobilistik. Ndërkohë, autori i aksidentit është ndaluar nga policia dy orë pas ngjarjes. Burime zyrtare të Policisë së Fierit thanë se "rreth orës 16:30 të dy ditëve më parë, shtetasja Nerënxa Jahovi ka gjetur vdekjen pasi është goditur nga një autoveturë e drejtuar nga 35-vjeçari Arben Muçobega. Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur karburanti “Alpet”, në segmentin rrugor Fier–Seman. Jahovi udhëtonte me biçikletë dhe është goditur nga autovetura e drejtuar nga Muçobega, i cili udhëtonte drejt Semanit. Autori është larguar nga vendngjarja, ndërkohë që dy orë më vonë ai është ndaluar nga efektivat e policisë. Prokuroria ka nisur procedimin penal për "shkelje të rregullave të qarkullimit" me pasojë vdekjen.

15 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›