E Diel, 1 Nëntor 2026

Pikë kalimi në kufirin me Maqedoninë, përfitojnë 10 mijë banorë të zonës

Ministria e Brendshme ka gati projektin për “Xhepisht-Trebisht”.
TIRANË - Për lehtësimin e lëvizjes së lirë të shtetasve në kalimin e kufirit me Maqedoninë, parandalimin e kalimeve të paligjshme nëpërmjet brezit të gjelbër dhe forcimin e kontrollit ndaj shtetasve dhe mjeteve që kalojnë kufirin në zonën e Gollobordës, është rënë dakord për hapjen e vendkalimit kufitar në Xhepisht-Trebisht.
Projekti
Burime nga Ministria e Brendshme thanë se tashmë është përfunduar projekti konkret i investimit që kërkohet në këtë rast. Por funksionimi i kësaj pike kalimi kufitar (PKK) nuk ka filluar për mungesë të infrastrukturës së nevojshme. Ashtu si edhe në pikat e tjera kufitare, edhe në këtë rast do të ofrohet një godinë dhe infrastrukturë bashkëkohore. Hapja e një pike të tillë në këtë zonë do t’i shërbente një komuniteti jo të vogël të kësaj zone që llogaritet të jetë mbi 10 mijë banorë. Nga studimi në vend i terrenit është rënë dakord që vendi i hapjes së PKK-sw të bëhet në rajonin e Piramidës 21, në vendin e quajtur “Livadhet”. Gjithashtu është konstatuar mungesa e kushteve të përshtatshme për funksionimin e kësaj pike kalimi, pasi nuk ka ndërtesë, nuk ka rrugë automobilistike në të dyja anët e kufirit, nuk ka ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Në territorin e Shqipërisë është e nevojshme hapja e rrugës në një distancë rreth 2 km, e cila kalon nëpër luginë dhe lidhet me rrugën nacionale Ura e Çerenecit – Librazhd.
Takimi
Më 20 mars 2008, në Shkup është parashikuar zhvillimi i takimit të Komisionit të Përbashkët të Ekspertëve shqiptaro-maqedonas, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, Drejtorisë së Doganave, Ministrisë së Transporteve, etj. Objekt i takimit do të jenë hapat që do të merren nga palët në zbatimin e marrëveshjes të miratuar me VKM më datë 14 qershor 2006 ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë maqedonase për hapjen e pikës së re të kalimit kufitar rrugor ndërkombëtar midis dy vendeve, “Xhepisht – Trebisht”. Ndërkohë, gjatë takimit në Tiranë më 19 shkurt të këtij viti mes kryeministrit Sali Berisha dhe homologut të tij maqedonas, Nikola Gruevski, kryeministri Berisha sqaroi se u ra dakord që të hapet pika doganore në Xhepisht - Trebishtë. Kryeministri shqiptar i propozoi homologut të tij që kjo të ishte një pikë e përbashkët, siç po bëhet në Muriqan me malazezët dhe po ashtu Gruevski premtoi se do ta shqyrtonte këtë model.

15 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›