E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: “Lufta kundër tumoreve, emergjente dhe e menjëhershme”

Bashkëpunimi i mjekëve shqiptarë dhe atyre italianë do të ndihmojë në kurimin e tumoreve te të sëmurët. Këtë iniciativë për bashkëpunim e ka përshëndetur kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Topalli zhvilloi dje një takim me përfaqësuesit e “Lidhjes shqiptaro–italiane kundër tumoreve”. Përfaqësuesi i Lidhjes, Pace Giuseppe, vuri në dijeni kryetaren e Kuvendit për idenë e krijimit të Lidhjes, si dhe nënshkrimin zyrtar të saj në javët e ardhshme. Ai i ka bërë ftesë kryeparlamentares Topalli të pranojë postin e Presidentes së Nderit. Nga sëmundja e kancerit preken çdo vit rreth 3500 deri në 4000 persona, pasi sëmundja nuk kapet në fazat e saj filllestare. Shpeshherë mjekët kanë apeluar që qytetarët të heqin dorë nga disa vese apo të ndryshojnë mënyrën e jetesës, që janë shkaktarët kryesorë për prekjen nga kanceri. Për këtë arsye, kryetarja Topalli vlerësoi si shumë të rëndësishëm ngritjen e kësaj strukture jo vetëm për fushën e mjekësisë, por për të gjithë shoqërinë shqiptare.
“Është një nder dhe kënaqësi e veçantë të takoj sot grupin e mjekëve të “Lidhjes shqiptaro-italiano kundër tumoreve”, që ka krijuar një shans bashkëpunimi mes dy vendeve tona për luftën kundër tumorit. Mbështes me të gjitha forcat e mia misionin në këtë luftë, si dhe fushatën që ju po ndërmerrni në ndërgjegjësimin e shoqërisë për parandalimin e tumoreve dhe veçanërisht gratë”, - theksoi Topalli. Mjekët shprehën shqetësimin për rritjen e numrit të tumoreve te shqiptarët, veçanërisht në moshat e reja. Sipas specialistëve tumoret shkaktojnë humbjet më të shumta në njerëz, në radhët e sëmundjeve, ndërsa vlerësohen si tepër të domosdoshme kontrollet e vazhdueshme mjekësore që janë baza e një parandalimi efikas të tyre. Kryetarja e Kuvendit u shpreh se tumori është një emergjencë e shoqërisë dhe se duhet parandaluar me diagnostikimet e duhura dhe në kohë.

15 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›