E Shtunë, 31 Tetor 2026

“FASON”, grup hetimor për raste të tjera të mitmarrjes

TIRANË - Pas arrestimit të kryetarit të degës doganore të Beratit, si dhe të një doganieri për “korrupsion pasiv”, është ngritur grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur edhe rastet e tjera të mitmarrjes prej tyre. Sipas Policisë së Shtetit, kryetari i degës doganore të Beratit, Hodo Hasani, si dhe Shaban Danushi, me detyrë doganier, akuzohen për veprën penale të “korrupsionit pasiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike”. Ata u arrestuan gjatë operacionit të koduar “Fason”, pasi i kanë krijuar lehtësira një subjekti privat në zhdoganim.
Arrestimi i Hasanit dhe Danushit u krye nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Beratit, në hyrje të qytetit, pranë ambienteve të kompanisë “Center Shqiptare Sh.p.k”, pasi kishin marrë nga një biznesmen i njohur i qytetit të Beratit një sasi parash, në këmbim të mossjelljes të pengesave dhe vonesave gjatë kryerjes së procedurave doganore.
Në bazë të hetimeve rezulton se dy zyrtarët kishin një periudhë prej një viti që i kishin caktuar një kuotë mujore biznesmenit, duke e detyruar ta paguante çdo muaj. Pas operacionit, policia u sekuestroi këtyre personave 275 mijë lekë, 300 euro, tre celularë, dy automjete, si dhe praktika doganore që i implikonin në kryerjen e veprimeve korruptive. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rasteve të tjera të mitmarrjes nga këta dy zyrtarë edhe ndaj biznesmenëve të tjerë të qytetit. Arrestimi i dy zyrtarëve në degën doganore të Beratit e çon në pesë numrin e punonjësve të implikuar në krijimin e lehtësirave në zhdoganim, në harkun kohor 12-13 mars. Dy ditë më parë në doganën e Tushemishtit, në Pogradec, u arrestuan Ardian Mëhilli, me detyrë doganier, Genci Tanellari, me detyrë oficer i Policisë Kufitare dhe Mentor Killo, punonjës policie.

Nishani zhvillon takime në Bushat të Shkodrës

Shkodër - Përplasja mes Komunës së Bushatit dhe Agjencisë Rajonale të baseneve ujore Bun-Drin për 350 hektarë pronë publike që i janë rikthyer asaj me vendim të Këshillit të Ministrave, ka dërguar dje në Bushat të Shkodrës ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani. Gjatë takimit të organizuar me drejtuesit dhe banorët e kësaj komune, ministri Nishani tha se do të ndëshkohen të gjithë personat përgjegjës që kanë bërë abuzime me tokat e Komunës së Bushatit. Gjatë vizitës në Bushat ministri i Brendshëm ka inauguruar përfundimin e fazës së parë të punimeve për rikonstruksionin e rrugës që lidh qendrën e Komunës së Bushatit me autostradën Shkodër-Tiranë. Një investim ky që kap shifrën e 25 milionë lekëve, ndërsa vetëm faza e parë e punimeve ka kushtuar 15 milionë lekë.

Festa, dy familje humbasin fëmijët

Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës kanë mbërritur tre denoncime nga familjarët që kanë humbur fëmijët e tyre gjatë festimeve të Ditës së Verës. Burime të sigurta thanë për gazetën se familja Kolldashi ka humbur djalin e saj 6-vjeçar, Denisin. Për Denisin familjarët thonë se ai ka humbur teksa ata kanë qenë për piknik nga Kodrat e Liqenit Artificial. Një tjetër denoncim ka ardhur nga familja Kolndreu, e cila ka humbur dy fëmijët e saj, Xhekson dhe Xhejms. Dy vogëlushët janë zhdukur teksa familjarët e tyre festonin në qendër të kryeqytetit. Policia ka nisur menjëherë kërkimit dhe janë njoftuar edhe qytetarët në festë që të njoftojnë në rast se shohin fëmijët të vetmuar.

Përgjimet zbuluan grupin e falsifikatorëve të patentave

Tiranë - Të arrestuarit për patentat janë vënë në pranga në sajë të një hetimi disamujor nën drejtimin e Task-Forcës së Krimit Financiar dhe Korrupsionit. Dokumentimi i veprimtarisë kriminale që këta persona kryenin në bashkëpunim me njëri-tjetrin është bërë i mundur nga përgjimet telefonike dhe filmimet me mikrokamera. Pesë personat që u arrestuan të enjten dyshohen, se shtetasve të ndryshëm për pajisjen me dëshmi për drejtim automjeti, ia plotësonin vetë, përpara zhvillimit të testimit kundrejt shumës së parave prej 65000 lekësh për çdo kursant. 5 zyrtarë, mes të cilëve 2 anëtarë të komisionit për marrjen në prove për leje drejtimi pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor në Tiranë, 2 inspektorë autoshkollash dhe një polic në sektorin e rendit dhe sigurisë së Policisë në kryeqytet janë vënë në prangat e policisë. Arrestimi i tyre u krye falë një operacioni të koduar “Gërshëra e ligjit”. Gjatë kontrollit të ushtruar nga efektivat policorë, personave iu gjendën dhe iu sekuestruan 7 milionë lekë shqiptare, 300 euro, 300 dollarë amerikanë si dhe një sërë dokumentesh të falsifikuara që shërbenin për plotësimin e dokumentacionit të kursantëve.

Të arrestuarit janë:
Emiljano Kahu, 31 vjeç, banues në Shijak, me detyrë anëtar i komisionit të marrjes në prova për leje drejtimi pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë.
Sokol Breca, 43 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë anëtar i komisionit të marrjes në prova për leje drejtimi pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë.
Jonus Meshi, 58 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë instruktor praktik pranë autoshkollës “Univers VIP”.
Qazim Hoxha, 57 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë instruktor teorie dhe praktike pranë autoshkollës “Univers VIP”.
Kadri Dajçi, 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie në sektorin e Rendit dhe Sigurisë Publike në Drejtorinë e Policisë Tiranë, i cili ishte bashkëpronar në autoshkollën “Univers VIP”.

15 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›