E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohen 5 anëtarë të një familjeje, protestuan për shembjen e banesës

KUKËS – Fillojnë konfliktet e para mes shtetit dhe banorëve të Kukësit, që kanë prona në aksin ku do të ndërtohet autostrada Durrës – Kukës. Të paktën 5 persona, të gjithë anëtarë të një familjeje, janë shoqëruar pasi kanë ndaluar punën e Inspektoratit Ndërtimor në Qarkun e Kukësit për shembjen e shtëpisë së familjes Nerguti në fshatin Gjegjan. Ata kanë protestuar në lidhje me shumën që u është premtuar se do t’u jepet nga shteti për kompensimin e pronës së tyre. Familja 20-anëtarëshe pretendon se me shumën prej 500 mijë lekësh nuk mund të ndërtojë një shtëpi të re. Gjatë konfrontimit mes pjesëtarëve meshkuj të familjes Nerguti dhe punonjësve të Inspektoratit të Ndërtimit, është dashur ndërhyrja e forcave të Rendit, të cilat kanë shoqëruar për në Komisariatin e Kukësit pesë persona. Familjarët kanë kërkuar kohë deri në gjetjen e një strehimi të dytë. Ndërsa dy ditë më parë nisi prishja e 13 shtëpive të banimit dhe 18 objekteve të biznesit që ndodhen përgjatë trasesë së rrugës Kalimash – Morinë. Burimet zyrtare të Inspektoratit të Ndërtimeve pranë Bashkisë së Kukësit bëjnë të ditur se do të vazhdojë puna për prishjen e këtyre objekteve, ndërkohë që po përgatitet dokumentacioni për kompensimin e pronarëve të trojeve dhe objekteve që do të shemben. Kjo ndërhyrje zgjidh një nga problemet kryesore, i cili deri tani ka penguar përshpejtimin e punimeve në segmentin rrugor Morinë - Kukës - Kalimash. Për të gjitha ndërtimet që ndodhen përgjatë autostradës është akorduar nga buxheti i shtetit shuma 281 milionë lekë që do të përdoret për kompensimin e të gjithë pronarëve që preken nga ndërtimi i kësaj rruge.

Ndëshkohen 7 firma, shkak masat e sigurisë në punë

GJIROKASTËR – Pas disa aksidenteve të njëpasnjëshme në disa qytete të vendit, Inspektorati i Ndërtimeve në Bashkinë e Gjirokastrës ka nisur kontrollin e të gjitha objekteve në ndërtim. Mungesa e theksuar e masave të sigurisë ka bërë që të pezullohet puna e ndërtuesve në 7 objekte. Vasillaq Nikolla, shef i këtij institucioni, thotë se ka vendosur rreth 500 mijë lekë gjobë ndaj subjekteve të ndryshme që nuk marrin masa sigurie për punëtorët, apo tabelat lajmëruese të detyrueshme, si për punëtorët, ashtu edhe për kalimtarët që lëvizin pranë godinave në ndërtim.
Kohët e fundit është rritur numri i aksidenteve në punë në Shqipëri. Sipas raporteve të fundit policore, vetëm dy ditë më parë një person humbi jetën ndërsa 3 të tjerë janë aksidentuar rëndë në Tiranë e Vlorë. Duke iu shtuar këtu edhe 6 punëtorët e Fabrikës së Çimentosh në Fushë-Krujë që u rrëzuan nga skena e oxhakut 70 metra të lartë katër ditë më parë. Inspektorati i Ministrisë së Punës ka dhënë alarmin dhe u kërkon firmave të ndërtimit zbatimin rigoroz të rregullave të sigurimit teknik në punë, pasi moszbatimi i tyre po sjell herë pas here viktima. Rastet më të shpeshta të vdekjeve janë konstatuar në minierën e Bulqizës.

Nafta pa akzicë për peshkatarët, edhe në Vlorë protesta

VLORË - Pas Durrësit janë hedhur në grevë edhe peshkatarët e Vlorës, të cilët kanë protestuar dhe për shkak se nuk janë furnizuar me naftë për anijet e tyre që prej disa muajsh, duke i lënë pa punë. Të paktën 250 peshkatarë, të cilët janë pronarë ose të punësuar në 74 peshkatoreve kanë dalë në kalatën e Triportit, pikërisht në vendin ku ankorohen anijet e peshkimit. Peshkatarët janë shprehur se janë prej disa muajsh pa punë, për shkak të mungesës së furnizimit me karburant nga kompania shtetërore e naftës ARMO. Kjo kompani ka ndërprerë naftën prej kohësh për sektorin e peshkimit, duke u justifikuar me faktin se ka vështirësi financiare dhe nuk përballet me konkurrencën në treg nëse je sasia të mëdha me çmim të ulët. Punonjësit e sektorit të peshkimit pretendojnë se qeveria dhe ARMO ka shkelur marrëveshjen. Të gjitha depot e karburanteve pranë kalatës së peshkimit janë bosh, për shkak të mungesës së lëndës së parë. Dy ditë më parë peshkatarët nga Durrësi protestuan para godinës së këshillit të ministrave, duke dalë kundër vendimit të miratuar nga qeveria ditën e mërkurë për skemën e furnizimit me karburant të këtij sektori. Protestat pritet të zgjerohen edhe në ditët në vijim në rrethet e tjera si Shëngjin, Sarandë dhe Shkodër.

15 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›