E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet/ Statistikat, çdo ditë vdes 1 person nga aksidentet

Sipas statistikave gjatë vitit 2007 kanë vdekur rreth 350 persona nga aksidentet. Qendra e Traumës raporton mbi 35 mijë urgjenca
Mijëra të plagosur dhe qindra të vdekur përgjakin çdo vit rrugët e vendit. Shkaku kryesor mbeten aksidentet, të cilat duke u mbështetu në numrin e madh të viktimave ua kalojnë konflikteve të armatosura. Kështu, statistikat e Qendrës Kombëtare të Traumës për vitin 2007 tregojnë se ka pasur mbi 34 mijë urgjenca, shumica e të cilave pikërisht për shkak të aksidenteve. Madje të dhënat tregojnë se gjatë vitit të kaluar u shënuan rreth 350 të vdekur nga aksidentet automobilistike.
Aksidentet
Ndodhin rëndom, duke shënuar mesatarisht një të vdekur në ditë dhe disa herë më shumë të plagosur. Kjo vihet re pikërisht në numrin e të lënduarve që paraqiten në Qendrën Kombëtare të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore. "Mund të themi se mbi 70 për qind e rasteve të paraqitura në spital, janë pikërisht për shkak të traumave nga aksidentet automobilistike",- pohojnë mjekët e Spitalit Ushtarak, duke shtuar se numri i traumave po vjen gjithnjë në rritje. Madje, edhe pse mban emrin "Spitali Ushtarak" në fakt civilët përmbajnë pjesën më të madhe të rasteve të paraqitura, pasi ushtarakët e paraqitur në urgjencë përbëjnë më pak se 6 për qind të numrit të totalit të urgjencave. "Gjatë vitit 2007 kemi pritur 34 945 urgjenca dhe shumica e tyre për shkak të aksidenteve automobilistike, që jo rrallëherë kanë përfunduar me vdekje",- pohojnë mjekët e Spitalit Ushtarak. Të ndodhur përballë kësaj situate, mjekët e Qendrës Kombëtare të Traumës bëjnë apel që të merren masa emergjente për parandalimin e aksidenteve.
Moshat dhe shkaqet
"Fatkeqësisht moshat që janë pre e traumës, janë moshat aktive, duke filluar nga 15-45-vjeç"- theksojnë mjekët e Qendrës Kombëtare të Traumës, të cilët mbështeten në statistikat e mbledhura. Sipas tyre, kjo ndodh pasi kjo grupmoshë është e angazhuar me shumë aktivitete ku në shumë raste bëhen burim aksidentesh, duke rritur vdekshmërinë e personave në moshë të re. Ndërkohë aksidentet rrugore janë shkaku kryesor i traumave në vendin tonë, që në shumë raste përfundojnë me vdekje. "Sipas statistikave të OBSH-së për Traumat, vërehet se vdekshmëria e shkaktuar nga aksidentet rrugore, është 3 herë më e lartë se ajo e shkaktuar nga konfliktet e armatosura",- theksojnë mjekët duke shtuar se 350 vdekje në vit vetëm nga aksidentet, është një shifër vërtet për t'u shqetësuar. Por sipas mjekëve shkak tjetër janë edhe aksidentet në punë, si pasojë e pasigurisë në vendet ku punohet. Megjithatë, mjekët e Ushtarakut nuk lanë pa përmendur edhe rastet me plagosje për shkak të konflikteve me armë zjarri, ku në këto raste problematika është më e mprehtë dhe e rrezikshme. Në repartin e Kirurgjisë së Traumës, gjatë vitit të shkuar, sipas mjekëve janë bërë mbi 1 mijë ndërhyrje kirurgjikale, duke shpëtuar jetën e pacientëve. Puna e kirurgëve, sipas tyre, është për t'u falënderuar duke pasuar parasysh sakrificën e vërtetë që bëhet për të shpëtuar jetë njerëzish.
Mjekët: Vitin e kaluar erdhën në spital 66 të vdekur
Pakujdesia dhe dëmtimi i rëndë shkakton vdekjen e personave të aksidentuar pa arritur ende në spital. Sipas mjekëve të Qendrës Kombëtare të Traumës, duhet të ndërtohen struktura shëndetësore, që të aksidentuarit t'i japin ndihmë mjekësore në vend dhe jo të transportohen për në spital nga persona që nuk janë specialistë të fushës. "Në Qendrën e Trumës gjatë vitit të kaluar kanë ardhur të vdekur, ose një pjesë e tyre ka vdekur brenda 3 orësh në spital, 66 persona",- pohojnë mjekët e Ushtarakut, duke shtuar se shumica e këtyre të vdekurve kanë qenë për shkak të aksidenteve. "Një të aksidentuar mund ta dëmtojë akoma më shumë dikush që nuk është specialist pasi mund t'i dëmtojë shtyllën kurrizore apo organe të tjera, duke e dërguar akoma më shpejt drejt vdekjes",- pohojnë mjekët e Ushtarakut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›