Shkodër, vdes nga shpërthimi i predhës 13-vjeçari
Daniel Marashi, nga Bardhaj i Shkodrës, humbi jetën teksa tentonte të merrte nga predha pjesën e hekurit për skrap
Banorët: Familja Marashi, tejet e varfër. Zona ka shumë municione, na rrezikohen fëmijët
SHKODER- Municionet luftarake që gjenden akoma të shpërndarë në gjithë anët e vendit kanë shkaktuar dje viktimën e radhës në Shkodër. Daniel Tonin Marashi, 13-vjeç, ka gjetur vdekjen dje rreth orës 15.00, ndërsa përpiqej të merrte hekurin e një predhe luftarake për ta shitur më pas për skrap. Shpërthimi, shkaktuar nga pakujdesia e fëmijës ka qenë fatal për jetën e tij, plagët e shumta që ka marrë në trup kanë qenë të rënda e të parikuperueshme dhe i kanë shkaktuar vdekjen.
***
Ngjarja ndodhi tek ish- poligoni i qitjes në fshatin Bardhaj në Shkodër. Djali, Daniel Marashi, lindur në fshatin Zejmen të Lezhës dhe banues në fshatin Bardhaj në Shkodër, që në fillim të muajit prill do të mbushte 13-vjeç, ka mbaruar mësimin dhe është nisur për të kërkuar skrap. Në afërsi të një bunkeri, në një kodër, rreth 50 metër lart shtëpive të banimit,tek vendi që dikur ka shërbyer për shumë vite si poligon qitjeje për trupat rezerviste, 13-vjeçari ka gjetur një predhë murtaje, përcaktuar më pas nga ekspertët simodel 82. I mësuar edhe më parë, por me pakujdesinë e fëmijës, ai me mjete rrethanoreka filluar ta godasë, me qëllim që t'i merrte hekurin, që më pas do ta shiste për skrap. Sipas burimeve policore, referuar edhe atyre nga vendi i ngjarjes, djali e ka venë predhën mes trupit në pjesën e barkut, për ta fiksuar që të mos lëvizte, ndërsa e godiste dhe i lironte vidhat. Në këtë moment predha ka shpërthyer, duke e lënë atë përtokë pa ndjenja. Brenda pak sekondash 13-vjeçari ka gjetur vdekjen.
***
Në kohën e aventurës së tij tragjike në kërkim të skrapit, shtyrë edhe nga nevojat ekonomike, ai ka qenë i vetëm. Por zhurma e shpërthimit, që ka qenë shumë e fortë, është ndjerë nga banorët që jetojnë vetëm 50 metër larg vendit të ngjarjes, poshtë kodrës ku gjeti vdekjen 13- vjeçari. Banorët, kanë nisur vrapin në drejtim të vendit ku dëgjuan zhurmën e shpërthimit. Sipas banorëve, i pari ka mbërritur në vendin e ngjarjes, vëllai i 13-vjeçarit, të cilit i ka rënë menjëherë të fikët, sapo ka parë skenën e tmerrshme, vëllanë e vogël përtokë të mbytur në gjak e të pajetë. Të tjerët kanë vëzhguar nga afër trupin e pajetë të fëmijës të dëmtuar nga shpërthimi i predhës. "Kur u afruam pranë vendit, pamë Danielin të mbuluar me gjak në çdo pjesë të trupit, me përjashtim të kokës, që nuk kishte pësuar dëmtime të shumta",- thanë dëshmitarët, banorë të fshatit Bardhaj. Me urgjencë janë lajmëruar familjarët e djalit të vogël, pasi banesa e tyre ishte afër me vendin ku humbi jetën Danieli.
***
E njoftuar për ngjarjen, policia dhe ekspertët e dërguar bënë këqyrjen e vendit tëshpërthimit. Veprimet e para hetimore arritën në përfundimin se vdekja e fëmijës ka qenë aksidentale. "Gjithçka ndodhi nga shpërthimi i predhës luftarake, forca e të cilës ka qenë shumë e madhe dhe vdekjeprurëse"- thanë ekspertët e policisë. Banorëttregojnë se predhat e municionet luftarake janë të shpërndara kudo në këtë zonë, rreth ambienteve të dy reparteve ushtarake të dikurshme, njëri prej të cilëve është jashtë përdorimit. Predha murtajë model 82, përcaktuar nga specialistët, është parë nga banorët e zonës ditë më parë. Madje ata kanë treguar për policinë se pak ditë më parë me këtë predhë kanë parë të luajnë fëmijët e fshatit.
Varfëria
Fëmijët, në kërkim të skrapit për t'u ushqyer
Një prej banorëve tregon se ka qenë ai që e ka lëvizur predhën, duke e spostuar në afërsi të bunkerit me shpresën se fëmijët nuk do ngjiteshin deri në atë lartësi. Por Danieli, ka shkuar pikërisht në kërkim të saj dhe e ka gjetur. Banorët e Bardhajt, shprehen se fëmijët janë vazhdimisht të rrezikuar në këtë zonë. Varfëria bën që ata shpesh të kërkojnë për pjesë hekuri e metalesh të ndryshme, që më pas i shesin të rriturit për të siguruar mbijetesën. "Familja Marashi është tepër e varfër"-, shprehen të njohurit e tyre. Ndërsa ushtarakë që vazhdojnë të ruajnë aty, shprehen se janë vetë prindërit ata që nuk kujdesen sa duhet. Në ambientet e njërit prej reparteve ushtarake të dikurshme, fëmijët luajnë dhe rrezikohen në çdo moment nga rënia e soletave të ndërtesave të amortizuara, që nuk kanë as dyer e as dritare dhe ku fëmijët vazhdimisht luajnë. Ndodh që ushtarët i bërtasin fëmijëve kur i shohin, por ata nuk dëgjojnë dhe pasi largohen rikthehen përsëri. Rastet e dëmtimeve nga predha, granata e municione luftarake të fëmijëve e adoleshentëve janë të pranishme në qarkun e Shkodrës, sidomos pas 1997-ës. Në disa raste shpërthimi i tyre nga pakujdesia apo kureshtja fëmijërore ka sjellë viktima, pa përmendur gjymtime të ndryshme.
Rastet e dëmtimeve nga predhat
28.10.2007, Nikollë Kola, 16-vjeç nga Puka, i plagosur
06.06.2007, Bardhyl, Valentina, Fatmir dhe Silvana Curri, fshati Bardhaj, të plagosur
06.03.2006, Gjon Lleshi, Pukë, 18-vjeç, i plagosur
12.07.2005Klement Marku 20-vjeç, nga Puka, plagosur
03.04.2004Visar Uka, 16-vjeç nga Puka, i vdekur, plagosen 6 të tjerë
16.11.2004Ndue Buçaj, 16-vjeç nga Mnela, Shkodër, i vdekur
Prill 2003Ndue Zefi, 10-vjeç dhe Anton Zefi, 12-vjeç, Shkodër, të plagosur
24.05.2002Pjerin Keli, 13-vjeç, Ardian Marku, 13-vjeç, Kristian Hila, 8-vjeç, Gjovalin
Hila, 7-vjeç, të plagosur
Maj 2000Pal Sukaj, 10-vjeç nga Dushmani, këput dy duart
01.04.1999Edmond Pepa( Deda) 10-vjeç, Bardhaj, këput dorën e djathtë