Edhe top-modele, edhe naftëtare!
Referendumi,- perifrazoi z.Bojaxhi në një emision në TV,- është pa kuptim, pasi Parku Energjitik që kërkon Vlora u anulua nga Kryeministri(!). Qytetari i thjeshtë po habitet se si Parku Energjitik qenka anuluar dhe njeherazi po ndërtohet. Z.Bojaxhi, tashmë ka çelësat për 140,000 m2 plazh të virgjër, i vlefshëm për ndërtimin e 3 TEC-ve. Është ngritur me shpejtësi muri rrethues me beton e tela me gjemba. Janë ngritur e rrethuar me beton e tela me gjemba 180.000 m2 për depozita karburantesh, afër vendit të TEC-it, buzë detit. Në kontratën "dhuratë" thuhet gjithashtu se, në një rreze prej 500 m prej perimetrit të territorit të rrethuar, askush nuk mund të ndërtojë objekte që nuk janë të pajtueshme me "Petroliferën". Berisha, pasi ka firmosur dhe marrëveshjen për naftësjellësin e AMBO-s dhe ka gati 550 ha të hequr nga kadastra prej Nanos në Pyllin e Sodës, doli një ditë, siç del ngaherë, dhe tha se e anulova Parkun Energjitik në Vlorë. Po ç'farë ka anuluar në të vërtetë ai? Në vendimin mbi miratimin e Parkut Industrial dhe Energjitik në Vlorë (Nr.8, datë 19.02.2003), shkruhet: Neni 1: "Miratohet territori për zhvillimin e "Parkut Industrial dhe Energjitik Vlorë", që ndodhet në Veri të qytetit të Vlorës dhe kufizohet në Jug me qytetin e Vlorës, në Perëndim me bregun e Detit, në Lindje me zonën e rrugës nacionale Vlorë - Fier dhe në Veri me Lagunën e Nartës". Në nenin 2, thuhet se: "Ministria e Energjitikës koordinon punën me ministritë e tjera dhe në nenin 3, thuhet se, "për zbatimin e vendimit ngarkohet Ministria e Energjitikës. Pastaj vjen firma e Fatos Nanos. Kaq është vendimi për Parkun e famshëm Energjitik të Vlorës. Pra, brenda kësaj vije rrethuese, sipas këtij vendimi, është një hiç. Dhe Berisha në fakt duke hequr vijën rrethuese, thjesht ka hequr një hiç.
Në vend të vijës, në letër, tani është funksional mur betoni dhe tel me gjemba. Pra, parku filloi të ndërtohet. Këtë behar mijëra pushues që frekuentonin këtë plazh të virgjër ranor nuk do ta kenë më këtë shans, sa të jenë gjallë! Janë të miratuara nga vendimmarrësit, planet për Fazën 2, planet për Fazën 3. Nuk është i rastit, edhe fakti që në projektin e madh të Bankës Botërore për Menaxhimin e Bregdetit të Jugut të Shqipërisë, që drejton dhëndri i Berishës, z.Jamarbër Malltezi, Gjiri i Vlorës është i përjashtuar. Në fakt, autorët e dinë mirë se TEC-i e Turizmi nuk shkojnë bashkë.
Qytetarët e Vlorës, kur morën nismën për referendum, specifikuan se nuk janë kundra Parkut Energjitik si vijë, por kundra veprave për të cilat ishin marrë vendimi e firmosur marrëveshje, dhe kundra planeve për vepra të tjera. Ja si ka qenë kërkesa e 14 mijë firmëtarëve: "Për lejimin ose jo të ndërtimit të Parkut Industrial Energjitik; TEC-e, Depozita karburantesh, Terminal nafte, Rafineri, Port Detar Nafte në Bregdetin e Vlorës". Kërkesa e referendumit qytetar është tërësisht e qartë, Po ose Jo naftës në Vlorë. Prej tyre është e qartë se mbretëresha e Turizmit nuk mund të jetë edhe top-modele edhe naftëtare!
Qytetarët e Vlorës kanë një bindje të palëkundur se varianti turizëm + naftë nuk funksionon, ose më saktë, është një mashtrim. Por nuk është një mashtrim që përgënjeshtrohet me një kundralajm në TV. Është një mashtrim me përmasa rrënuese për qindra biznese në Vlorë, për mijëra të punësuar në Vlorë, është një mashtrim për gjithë vlonjatët, por dhe për gjithë shqiptarët. Bizneset në Vlorë kanë investuar paratë këto 17 vjet, me prirje të fortë në industrinë e turizmit. Humbja nga piramidat, është shumë herë më e vogël se kjo humbje gjigante që vjen nga ndryshimi i kursit të zhvillimit.