Aksidentet dhe vetëvrasjet mbingarkojnë reanimacionin
Në spitalin rajonal të Fierit, dy nga repartet që trajtojnë më shumë pacientë gjatë një dite janë urgjenca dhe reanimacioni. Në Repartin e Urgjencës, gjatë një dite mund të shkojnë për të marrë ndihmën e parë ose dhe për t‘u shtruar më tepër se 50 persona të grupmoshave të ndryshme. Ndërsa në repartin e dytë, me fluks më të madh pacientësh, atë të reanimacionit, numri i shtrimeve është mbi kapacitetin e tij, në mbi tetë pacientë në ditë. Në shifrat e sipërcituara nuk përfshihen trajtime me mjekime disa orëshe, të cilat e shtojnë edhe më shumë numrin e pacientëve që i drejtohen spitalit të Fierit. Vetëm për muajin shtator, numri i personave që janë shtruar në repartin e reanimacionit të Fierit është 250. Mësojmë prej bluzave të bardha që shërbejnë në këtë repart se muaji gusht dhe ai shtator konsiderohen si muaj kulmi për nga fluksi i shtrimeve. Natyra e sëmundshmërisë së pacientëve të këtij reparti është e ndryshme, por ajo që përbën numrin më të lartë të të sëmurëve ka të bëjë me aksidentet rrugore, me aksidentet në punë, me rastet e shumta të rënieve nga lartësia, me vetëhelmimet, apo dhe me plagosje. Silvana Hido, e cila mban statistikat në repartin e reanimacionit, thotë se muaji shtator ka shënuar me dhjetëra raste aksidentesh, të plagosurit e të cilëve kanë marrë mjekim disaditor në reanimacion. "Në shtator janë shënuar 250 shtrime normale, nga këto 175 kanë qenë shtrime patologjike", thotë Hido. Ajo saktëson se 66 nga të shtruarit në këtë repart kanë qenë të plagosur nga aksidentet rrugore, 30 kanë qenë të helmuar në tentativë vetëvrasjeje, 21 kanë rënë nga lartësitë dhe 14 plagosje aksidentale në shtëpi apo në punë.
Ma.Tr.
Ma.Tr.