Dogjani: “Qeveria të rritë sigurinë në vend dhe të zbulojë zhdukjen e Bleonës”
Partia Socialiste, me shqetësim i bën thirrje qeverisë që të vlerësojë situatën e pasigurisë në vend dhe të marrë të gjitha masat për zbulimin sa më të shpejtë të zhdukjes së Bleona Matës nga Kukësi. Nëpërmjet deputetit Asllan Dogjani, Partia Socialiste shpreh shqetësimin për mungesën e profesionalizmit dhe tendencën e strukturave të Policisë së Shtetit për ta sfumuar ngjarjen nëpërmjet deklaratave të ndryshme dhe shpeshherë kontradiktore vetëm e vetëm për t’i shpëtuar përgjegjësisë përpara opinionit publik. “U bënë 12 ditë nga zhdukja në mënyrë të papritur dhe në rrethana krejt të paqarta në fshatin Zapod e Bleona Matës, 6 vjeçare. Koha po kalon dhe familjarët nuk kanë asgjë të re për të. Ne të gjithë, si qytetarë dhe prindër, jemi thellësisht të prekur nga pafuqia e forcave të rendit për të nxjerrë në dritë rrethanat misterioze të zhdukjes së 6-vjeçares. Të gjithë shqiptarët i kanë parë nëpërmjet medias pamjet e trishtueshme të varfërisë dhe mjerimit ekonomik të banorëve dhe fëmijëve të kësaj zone, pamje që nuk kanë nevojë për koment”, - u shpreh Dogjani. Deputeti socialist me shqetësim u shpreh se sot është rritur pasiguria në shkolla, ku jo pak fëmijë shkojnë të armatosur. Gjithashtu është rritur pasiguria te qytetarët, të cilët nuk e ndiejnë veten të sigurt në vendin e tyre, në rrugët e tyre, në familjet e tyre dhe kjo na alarmon të gjithëve.
4 Qershor 2010