Pranga oficerit të Policisë, manipuloi dosjen e të akuzuarit për vrasje
TIRANË - Vihet në pranga oficeri i Policisë Gjyqësore në Fier, Vasil Ristani. Arrestimi i tij është bërë nga efektivët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Policinë e Shtetit. Ristani, i cili ishte oficer në hetimin e krimeve të rënda, është akuzuar për manipulime në hetime. Nga burimet policore u bë e ditur se ndalimi tij është bërë pasi akuzohet se ka bërë manipulime në dosjen e një të akuzuari për vrasje, ngjarje e ndodhur disa vite më parë. Hetimi ndaj tij është bërë nga SHKB-ja dhe Prokuroria e Fierit. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme thanë se ndalimi i tij është bërë pas një hetimi disamujor nga agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me Njësinë Task-Force të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier. Pasi janë siguruar provat që komprometonin efektivin e policisë është kërkuar dhe arrestimi i tij. “U krye arrestimi i oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë së qarkut Fier, Vasil Ristani”, - thanë mbrëmjen e djeshme burime zyrtare nga Ministria e Brendshme.
Hetimi
Burime zyrtare nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kanë bërë të ditur se pas sigurimit të provave, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”. Ristani akuzohet se për qëllime përfitimi dhe duke shpërdoruar atributet e Policisë Gjyqësore ka sajuar prova të rreme gjatë hetimit të një ngjarjeje të rëndë kriminale duke sjellë si pasojë pafajësinë e një autori vrasjeje. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, por më pas është liruar nga Gjykata e Lartë. Burimet nga SHKB-ja thanë se hetimi kishte filluar pas vendimit të gjykatës. Pasi janë bërë verifikimet, është arritur në përfundimin se ai kishte manipuluar prova të ndryshme, që shkonin në favor të të akuzuarit për vrasjen e ndodhur në vitin 2000 në kryeqytet. Nga të dhënat, viktima dhe i arrestuari kishin hasmëri me njëri-tjetrin.
Akuzat
Ministria e Brendshme bëri të ditur se Vasil Ristani do të përgjigjet para Drejtësisë për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit pasiv të kryer nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe të “shpërdorimit të detyrës”, vepra penale të parashikuara nga nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal. Menjëherë pas arrestimit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka marrë masën e pezullimit nga detyra të punonjësit të policisë, Vasil Ristani. Grupi hetimor është duke vazhduar hetimet për të identifikuar të gjithë personat e mundshëm të përfshirë në këtë çështje.
Bllokohet furgoni me klandestinë, arrestohet shoferi
KORÇË - Ndërsa udhëtonte i mbushur plot me klandestinë me destinacion Greqinë, një furgon është ndaluar nga forcat e policisë së Korçës. Lajmi konfirmohet prej tyre, duke bërë me dije se kanë arrestuar në flagrancë 26-vjeçarin Artan Sula, banues në Labinot të Elbasanit, i cili po u jepte ndihmë pasagjerëve të tyre për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme kundrejt shpërblimit prej 100 eurosh për person. Ndërkaq, forcat e policisë kanë ndaluar edhe drejtuesin e furgonit me targë EL 324 A, me emrin Ll. Bezhani, i cili gjithashtu ishte në dijeni të këtij trafiku të klandestinëve. Ndërsa klandestinët mësohet se mbajnë emrat N. Bajrami, R. Rama, V. Matoshi, E. Musta, A. Haka dhe E. Duka; që të gjithë banues në qytetin e Elbasanit. Policia nga ana e saj ka nisur veprimet hetimore procedurale për veprën penale të “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/2 i Kodit Penal, ndaj të ndaluarit të lartpërmendur, Artan Sula siedhe Ll. Bezhanit, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.
Paguajnë nga 700 euro për në Greqi, i braktis udhërrëfyesi
GJIROKASTËR - I kishin paguar një trafikanti klandestinësh 700 euro në dorë për të shkuar në Greqi, por Policia greke i ka kapur në kufi duke i kthyer menjëherë në territorin shqiptar. Të gjendur në kushte dëshpëruese, të kthyerit, gjëja e parë që kanë bërë sa kanë takuar forcat e policisë shqiptare, ka qenë ajo e rrëfimit të personit që u kishte marrë shumën e lartpërmendur, i cili tashmë është shpallur në kërkim. Fjala është për dy të rinj të kthyer në pikën kufitare të Kapshticës, me emrat përkatës F. Harizi, 20 vjeç, banues në fshatin Çaushaj të Peqinit dhe J. Hyskja, 16 vjeç, banues në fshatin Shezë të Peqinit. Siç bëjnë me dijeni burimet kufitare, ata kanë denoncuar 27-vjeçarin Kastriot Harizi, banues në fshatin Çaushaj të Peqinit se i ka ndihmuar për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin kundrejt shpërblimit prej 700 eurosh për person. Tashmë ndaj tij janë kryer veprimet hetimore procedurale për veprën penale të “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal, ndërsa është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
29 Maj 2010