Sektori turistik zhytet në krizë, hotelet në bregdet vuajnë mungesën e klientëve
Ervin KOÇI
Sektori i turizmit këtë vit duket se do të jetë i njëjtë ose me rezultate më negative sesa ai i vjetshmi. Këtë gjendje e shprehin operatorët e hoteleri-turizmit dhe agjencive turistike shqiptare, të cilët flasin për rezultate tepër të ulëta të paktën deri tani. Edhe pse sezoni turistik është çelur zyrtarisht në disa qytete bregdetare të Shqipërisë, situata duket shumë e beftë dhe numri i vizitorëve tepër i pakët. Industria shqiptare e hotelerisë dhe turizmit duket se pësoi krizë të rëndë në fund të vitit të kaluar, kur numri i klientëve u reduktua ndjeshëm dhe një pjesë e punonjësve humbën vendin e punës. Sipas një publikimi të fundit të bërë nga Instituti i Statistikave, i quajtur “Statistikat afatshkurtra”, kanë dalë qartë në pah problemet që ka sot sektori i hotelerisë dhe turizmit në vend. Xhiroja e industrisë hotelerike në Shqipëri ra me 8.4 për qind në bazë vjetore, në tremujorin e katërt të vitit 2009, gjë që solli rënie të numrit të të punësuarve me 5.4 për qind, sipas INSTAT-it.
Statistikat
“Shifra e afarizmit në volum, vlerësuar me çmime fikse, deflatuar me Indeksin e Çmimeve të Konsumit, me vit bazë 2005=100, në tremujorin e katërt 2009 është ulur me 20.4 për qind krahasuar me tremujorin e tretë 2009. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2008, është rritur 8.4 për qind. Numri i të punësuarve në hotele është ulur 18.1 për qind në tremujorin e katërt 2009, krahasuar me tremujorin e tretë 2009, ndërsa pagat e paguara janë ulur 15.5 për qind gjatë së njëjtës periudhë”,- thotë INSTAT-i në raportin e tij. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i të punësuarve është ulur 5.4 për qind, ndërsa pagat janë rritur 10 për qind.
Rënia e frekuentimit
Mungesa e shërbimeve cilësore, e komoditeteve të ndryshme, e cilësisë së shërbimit, si dhe çmimet e kripura, kanë qenë disa nga shkaqet kryesore që kanë larguar klientët nga sistemi hoteliero-turistik shqiptar. Numri i klientëve shqiptarë është ulur 61.6 për qind në tremujorin e katërt 2009, krahasuar me tremujorin e tretë 2009, ndërsa numri i klientëve të huaj është ulur 43.2 për qind në të njëjtën periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i klientëve shqiptarë është ulur 20.1 për qind dhe numri i klientëve të huaj është rritur 1.6 për qind. Net-qëndrimet e klientëve shqiptarë janë ulur 79.4 për qind në tremujorin e katërt 2009 krahasuar me tremujorin e tretë 2009, ndërsa net-qëndrimet e klientëve të huaj janë ulur 66.9 për qind gjatë së njëjtës periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, net-qëndrimet shqiptare janë ulur 31.9 për qind, ndërsa net-qëndrimet e huaja janë ulur 1.1 për qind.
Agjencitë e udhëtimeve
Krizën përveç hoteleve e kanë ndjerë edhe agjencitë e udhëtimeve. Shifra e afarizmit në agjencitë e udhëtimit ka rënë me 34.7 për qind në tremujorin e katërt 2009 krahasuar me tremujorin e katërt 2008. Ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës, rënia është 29.9 për qind. Segmenti i shërbimeve që ofrohen nga agjencitë e udhëtimeve duket se është goditur veçanërisht rëndë nga kriza, pasi shitjet e tyre kanë pësuar rënie dyshifrore gjatë të gjithë vitit 2009. Agjencitë e udhëtimeve në Shqipëri funksionojnë si shërbime miks shitje biletash transporti dhe shërbimesh të tjera, gjë që e ka zbutur barrën e krizës, pasi segmenti i shitjeve të biletave të udhëtimit ka pësuar rritje të konsiderueshme.
Shkurt/////////////////////////////////////////
Statistikat, shitja e energjisë rriti bilancin e eksporteve
Eksportet e Shqipërisë u rritën me 47 për qind gjatë periudhës janar-prill të këtij viti, ndërkohë që importet ishin në të njëjtin nivel me një vit më parë. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e tregtisë së jashtme të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Shqipëria eksportoi 345 milionë euro mallra në këtë periudhë nga vetëm 235 milionë eurot e eksportuara në janar-prill 2009. Marsi është muaji më i mirë për eksportet i regjistruar ndonjëherë me më shumë se 104 milionë euro mallra të shitura. Italia mbetet blerësi kryesor i eksporteve tona, duke zënë 52 për qind të totalit. Gjatë 4-mujorit, Italia bleu 185 milionë euro mallra nga Shqipëria me rritje 20 për qind në krahasim me një vit më parë. Eksportet shqiptare gjatë këtij viti janë rritur veçanërisht si pasojë e reshjeve të bollshme, të cilat kanë shumëfishuar prodhimin e energjisë elektrike në kaskadën e Drinit. Ekspertët i klasifikojnë fenomene të tilla si, “fitime ose humbje të jashtëzakonshme” dhe nuk i marrin parasysh në vlerësimin e ecurisë së përgjithshme të ekonomisë. Segmenti tjetër i rëndësishëm, eksportet e veshjeve dhe këpucëve, të cilat u prekën rëndë nga kriza e vitit të kaluar, kanë filluar të rigjallërohen gjatë muajve të fundit. Por eksportet e këtij segmenti janë ende më të ulëta nga sa ishin në vitin 2008, pra para fillimit të krizës ekonomike dhe financiare botërore.
29 Maj 2010