Arrestimi, e zhdukur prej dy vitesh, kapet në hotel duke prostituuar
DURRËS - E zhdukur prej dy vitesh, një 19-vjeçare është gjetur duke ushtruar prostitucion. Siç duket kërkimet nga efektivët e policisë që prej shtatorit të vitit 2008 e deri dy ditë më parë kanë qenë të kota për gjetjen e saj, deri kur është kapur në flagrancë duke ushtruar prostitucion disa kilometra larg familjes së saj që kishte denoncuar dhe zhdukjen. Lajmi është bërë i ditur ditën djeshme nga burime zyrtare të Policisë së Durrësit. Sipas tyre, mëngjesin e djeshëm, në orën 01:30, është bërë arrestimi në flagrancë i vajzës me inicialet Xh. U., 19 vjeçe, banuese në fshatin Sukth, Durrës, e paarsimuar. Uniformat blu thanë se ndalimi i saj është bërë pasi rreth orës 23:00 të mbrëmjes të dy ditëve më parë është kapur në flagrancë te hotel “Riviera” në Lagjen Nr. 14, Durrës, duke ushtruar prostitucion kundrejt fitimit prej 3 mijë lekësh me shtetasin me inicialet G. F. Policia tha se 19-vjeçarja ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë Durrës më datë 4 shtator 2008 pasi ishte larguar nga banesa. Denoncimi ishte bërë nga familja e vajzës. Që nga ajo ditë vajza e re nuk ishte gjetur, deri kur është kapur në flagrancë duke shitur trupin kundrejt pagesës. Pasi është arrestuar, ajo është dërguar në qelitë e Policisë së Durrësit. Dosja me materialet ndaj saj i kanë kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës, nën akuzën e “ushtrimit të prostitucionit”.
29 Maj 2010