Marrja e pensionit, do të rritet mosha e daljes dhe do të pakësohen vitet e pagesës
Ervin KOÇI
Mosha e daljes në pension do të ndryshojë bashkë dhe me vitet e pagesës që shteti do të japë për pensionistët. Këto ndryshime po parashikohen të bëhen në lidhin e ri “Për pensionet” të cilin qeveria ua ka vënë në tavolinë për rishikim një grupi ekspertësh të Ministrisë së Financave, por e shtyrë nga sugjerimet e Bankës Botërore. Kjo e fundit ka kërkuar prej kohësh nga qeveria shqiptare që të ndryshonte dhe përmirësonte ligjin “Për pensionet”, me pretendimin se skema e sigurimeve në Shqipëri rrezikon falimentimin. Falimentim që po vjen nga ulja çdo vit e numrit të kontribuuesve dhe e shtimit të përfituesve të kësaj pagese. Sipas informacioneve të siguruara nga gazeta “Albania”, mësohet se gjatë tre viteve në vazhdim skema e pensioneve do të pësojë ndryshime. Sipas burimeve nga MF-ja, “ndryshimet në ligjin e ri do të jenë në moshën e përfituesve dhe në periudhën e trajtimit me pension”. Për këtë të fundit burimet thonë se ajo parashikohet të ndryshojë nga “trajtim me pension deri në fund të jetës”, që është në ligjin e tanishëm, në “trajtim me pension për një periudhë të caktuar vitesh (15-20 vjet maksimumi)”. Paralel me këtë qeveria synon që deri në vitin 2012, të rrisë moshën e daljes në pension në 65 vjeç për burrat, dhe në 60 vjeç për femrat, në një kohë që për të përfituar një pension të plotë, vjetërsia në punë duhet të jetë minimalisht 35 vite, ku përfshihet edhe koha e studimeve universitare nëse individi ka kryer.
Mungesa e votave
Qeveria po përpiqet që një ligj të tillë, i cili do të trondiste çdo pensionist dhe do të largonte nga skema çdo kontribuues, ta përgatisë dhe ta kalojë sa më parë në kuvend. Por për një ligj të tillë në kuvend nuk do të mjaftonin vetëm votat e maxhorancës pasi për votimin e tij nevojiten 84 vota, që ligji të bëhet i vlefshëm, prandaj duhet edhe miratimi i opozitës. Gjithsesi, qeveria po e bën punën e saj dhe pritet që deri në datën 4 qershor ekspertët ta kenë përgatitur draft-projektin dhe ta sjellin në këtë datë në një takim që përfaqësues të MF-së do të zhvillojnë me përfaqësuesit e biznesit. Në këtë takim do të diskutohen problemet për rritjen e nivelit të pagës minimale, ndryshimet e mundshme në Kodin e Punës, por edhe propozimi i bërë prej disa vitesh nga BB-ja për uljen e viteve të trajtimit me pagesë pensioni dhe rritje të moshës së daljes. Pra një individ që del në pension në moshën 65 vjeç, sipas projektit të Financave duhet të trajtohet me pagesën e pensionit deri në moshën 85 vjeçare, pavarësisht se ai mund të jetojë edhe 100 apo 120 vjeç.
Kushtet aktuale
Aktualisht, deri më 30 qershor 2010, mosha e daljes në pension për burrat, për punët e kategorisë së parë, do të jetë rreth 58 vjeç dhe vjetërsia e punës përkatësisht me 30 vite të njohura. Ndërsa për punët e kategorisë së dytë, mosha e daljes në pension do të jetë 63 vjeç dhe 35 vite punë të siguruara. Për kategorinë e tretë periudha e sigurimeve do të jetë po e njëjta, ndërsa mosha e daljes në pension do të pësojë një rritje me 1 vit (dalja në pension në moshën 64 vjeç). Po e njëjta skemë do të ndiqet edhe për gratë, të cilat në tre vitet e ardhshme sipas kategorizimit të profesioneve do t’u shtohet dhe mosha e daljes në pension me 1 deri në 2 vite më shumë. Kjo e fundit do të shoqërohet dhe më të njëjtin model shtimi të viteve të sigurimit që duhen për t’u trajtuar me pension, derisa të arrihet kufiri i përcaktuar maksimal i daljes në pension, që për meshkujt do të jetë mosha 65 vjeç, kurse për femra 60 vjeçe. Mosha e pensioneve, për çdo vit, në datën 1 korrik rritet me gjashtë muaj, për të krijuar një harmoni mes brezave dhe viteve të lindjes, në mënyrë që të arrihet mosha 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë.
Ulja e kontribuuesve
Numri i kontribuuesve çdo vit po reduktohet, në një kohë që një pjesë të klientëve të skemës shtetërore po e marrin dhe skemat e sigurimeve private. Për këto të fundit, burime nga MF-ja, hamendësojnë se janë pikërisht kompanitë private të sigurimeve që po lobojnë fuqishëm për ta ndryshuar skemën e sigurimeve në vend. Sipas të dhënave të marra nga ISSH-ja, aktualisht numri i kontribuuesve, domethënë i atyre që paguajnë kontribute për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore është rreth 400 mijë individë, në një kohë që numri i atyre që trajtohen me pagesa pensionesh të ndryshme dhe të tjera pagesa, është rreth 563 mijë individë. Pra rreth 163 mijë individë më tepër që përfitojnë. Ndërkohë ky raport para viteve ’90 ishte shumë më ndryshe, ose 4 kontribuues për 1 përfitues. Aktualisht sipas shifrave të MF-së, vetëm për vitin 2010 nga buxheti i shtetit për pagesat e pensioneve janë marrë rreth 54 miliardë lekë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një gropë të parikuperueshme. Nga ana tjetër qeveria ka premtuar edhe rritje të pensioneve dhe pagave për muajin korrik 2010, por që ende nuk dihet se ku do t’i sigurojë paratë.
Mungesa e të ardhurave, shtohet deficiti në buxhet
Të ardhurat e sigurimeve shoqërore qenë 2 miliardë lekë (rreth 15 milionë euro) më të ulëta se plani, ndërkohë që shpenzimet qenë 2.3 miliardë lekë më të ulëta se plani. Sipas bilancit, qeveria arkëtoi 18 miliardë lekë kontribute për pension, apo për kujdes shëndetësor nga të punësuarit, me rritje vetëm 0.45 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Në të njëjtën periudhë, shpenzimet u rritën me 19.2 për qind dhe arritën në 34.2 miliardë lekë. Të ardhurat e fondeve publike të sigurimeve shoqërore e shëndetësore mjaftuan këtë vit për të mbuluar vetëm 53 për qind të shpenzimeve, nga 62 për qind që mbulonin një vit më parë. Buxheti i shtetit ka planifikuar një deficit prej 48.5 miliardë lekësh (rreth 355 milionë euro) te fondet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Deficiti i sigurimeve është shtuar vazhdimisht nga viti në vit gjatë të gjithë dekadës së fundit, për shkak se numri i të punësuarve ka qëndruar pothuajse i pandryshuar, ndërsa numri i pensionistëve, si dhe masa e pensioneve, janë rritur vazhdimisht. Në vitin 2005, të ardhurat mbulonin 66.5 për qind të shpenzimeve për sigurime shoqërore e shëndetësore. Shkaqet kryesore të rritjes së shpenzimeve për fondet e sigurimeve shoqërore të qeverisë gjatë këtij viti qenë, rritja e pensioneve vitin e kaluar dhe rritja e kostos së ilaçeve të subvencionuara. Këto të fundit u rritën me rreth 10 për qind, si pasojë e zhvlerësimit të lekut kundrejt euros. Pensionet u rritën nga qeveria me 10 për qind në maj 2009, si masë parapërgatitore për zgjedhjet e qershorit.
Kushtet e daljes në pension për të dyja gjinitë
MOSHA DHE PERIUDHA E SIGURIMIT QË KËRKOHET NË
VITE PËR SEICILËN KATEGORI
BURRI
Kategoria I Kategoria II Kategoria III
Vitet Mosha Vjetersia e punes Mosha Vjetersia e punes Mosha Vjetersia e punes
01.07.2009 - 30.06.2010 58 30 63v 35 64v 35
01.07.2010 - 30.06.2011 58 31 63v 6m 35 64v 6m 35
01.07.2011 - 30.06.2012 59 32 64v 35 65v 35
01.07.2012 - 30.06.2013 59 33 64v 6m 35
01.07.2013 - 30.06.2014 60 34 65v 35
GRUAJA
Kategoria I Kategoria II Kategoria III
Vitet Mosha Vjetersia e punes Mosha Vjetersia e punes mosha Vjetersia e punes
01.07.2009 - 30.06.2010 53 30 58v 35 59v 35
01.07.2010 - 30.06.2011 53 31 58v 6m 35 59v 6m 35
01.07.2011 - 30.06.2012 54 32 59v 35 60v 35
01.07.2012 - 30.06.2013 54 33 59v 6m 35
01.07.2013 - 30.06.2014 55 34 60v 35
29 Maj 2010