Berat, kryeministri Berisha kryen të njëjtin përurim të një viti më parë
Kryeministri Berisha ka prerë dje në Berat shiritin e të njëjtit inaugurim të bërë edhe një vit më parë, të njohur si fillimi i aksit kombëtar të Jugut. Rruga 8 milionë lekë e inauguruar nga kryeministri një vit më parë, ndryshe nga sa u tha, shërben vetëm për të lidhur Beratin me fshatin Velabisht. Para zgjedhjeve elektorale, Berisha inauguroi rrugën hyrëse të qytetit të Beratit, e cila së bashku me urën e re mbi lumin Osum kushtoi disa milionë lekë dhe parashikohej të ishte pjesë e Boshtit të Jugut, por në fakt ka ngecur duke u shërbyer vetëm disa banorëve të një lagjeje pranë qytetit për të kaluar në komunën e Velabishtit. Burimet pranë Drejtorisë Rrugore pohojnë se “aksi nuk do të jetë pjesë e Korridorit Jugor, pasi plani aktual e devijon”. Për sektorin rrugor janë akorduar rreth 37 miliardë lekë, që sipas Financave, janë të mjaftueshme për ndërtimin, rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e tyre. Në total, Ministrisë së Transporteve i janë dhënë rreth 51 miliardë lekë, ose 27 miliardë lekë më pak nga sa mori për 2009-n. Mbarimi i rrugës Rrëshen-Kalimash reduktoi fondin për investime me gati 50 për qind, duke i akorduar para vetëm për akset e mbetura të Durrës-Kukës dhe projektet e Jugut bashkë me Arbrin. Gjatë diskutimit në Kuvend të buxhetit për rrugët, Ministria e Transporteve, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, kërkoi më shumë fonde për pjesën që i takon mirëmbajtjes. Buxheti për këtë zë është 1.4 miliardë lekë, kurse rrugët kërkuan shtesë edhe 500 milionë lekë të tjerë, që pas votimit nuk u miratua.
29 Maj 2010