E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, dy të plagosur rëndë në rrugët e Fierit

Shpejtësia

Dy aksidente të rënda kanë ndodhur brenda pak orësh në rrugët e Fierit. Ndërsa një prej aksidenteve ka ndodhur orët e para të mëngjesit të së hënës, tjetri ka ndodhur pak pas mesdite. Në të dyja aksidentet kanë mbetur të plagosur rëndë dy persona, ndërsa një autor është arrestuar. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në hyrje të fshatit Levan, që përshkohet nga rruga nacionale Fier-Vlorë, 48-vjeçari Gëzim Selimi, banor i Novoselës, ka mbetur i plagosur rëndë, si pasojë e një aksidenti. Ai ka qenë duke drejtuar motoçikletën e tij dhe ka humbur kontrollin, duke rënë në kanal anës rrugës. Selimi kthehej nga një dasmë dhe shkonte për në shtëpi. Fatmirësisht një shofer furgoni i linjës Tiranë-Vlorë ka parë skenën e aksidentit dhe i ka dhënë ndihmën e parë të plagosurit. Ai është dërguar menjëherë në spitalin e Fierit, ku mjekët nuk japin garanci për jetën. Aksidenti i dytë i rëndë ka ndodhur rreth orës 15:45 në hyrjen lindore të qytetit të Fierit, tek rreth-rrotullimi i Sheqit, ku një makinë me targa greke ka përplasur një këmbësor. Edhe pse policia dyshon se i aksidentuari është shtetasi A.Bega, 53 vjeç, sërish shprehet se nuk është bërë identifikimi përfundimtar i tij, pasi pritet konfirmimi prej të afërmve. Këmbësori ka qenë duke ecur në anë të rrugës kur vetura tip “Opel” me targa greke, që drejtohej nga Thanas Baca, ka humbur kontrollin dhe e ka përplasur. Vetë shoferi i ka dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe e ka dërguar në spital, ku ai gjendet në rrezik për jetën. Sipas policisë, mjeti me targa greke lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›