Policia Kufitare u shpall luftë motorëve të ujit në plazhe
Siguria e rrezikuar e pushuesve mbledh shtabet e punës në zonat bregdetare. Në Durrës e Sarandë, kontrolli i motorëve të ujit ka qenë një ndër problemet më shqetësuese dhe është planifikuar të mundësohet përmes përcaktimit të territoreve të veçanta detare dhe kufijve të tyre, duke shmangur rrezikun për shëndetin dhe jetën e të gjithë atyre që pushojnë në plazhe.
DurrësDje është ngritur shtabi i punës për sigurinë publike në sezonin turistik dhe në përbërje të tij janë krerë bashkish, komunash bregdetare, drejtorë të Higjienës, të Policisë, të Kufirit, të Portit, të Doganave, të Zjarrfikësve, të Ujësjellësit dhe të tjera institucione kyçe. Prefekti i Qarkut, Genci Alizoti, ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për të kontrolluar mjetet, që me shpejtësinë e tyre marramendëse rrezikojnë jetën e pushuesve. Kapiteneria e Portit të Durrësit dhe Policia Kufitare deklaruan se do të ndërmerret një aksion për sekuestrimin e çdo motori deti pa dokumente, ndërsa u vendos që këto mjete të qarkullojnë vetëm në korridore të caktuara lundrimi, të cilat do të shënohen me sinjalistikë detare, kryesisht bova. Gjatë takimit u tha se policia kufitare do të lejojë që motorët të lundrojnë të paktën 300 metra larg bregut dhe jo më shumë se 1 milje larg tij, ndërsa shpejtësia në lundrim nuk duhet t’i kalojë 4 nyjet detare për orë. Shkelja e këtyre distancave do të ndëshkohet. Skuterët e detit janë shndërruar në një makth për pushuesit dhe vitin e kaluar një pushues nga Kosova humbi jetën nga një goditje e tyre. Në takimin e prefekturës u vendos dhe shtimi i sporteleve në pikën kufitare të Portit të Durrësit, e cila përballon një fluks shumë të lartë emigrantësh që kthehen për pushime në atdhe gjatë stinës së nxehtë. Mirëfunksionimi i sistemit TIMS, kontrolli elektronik i pasagjerëve, në mënyrë që edhe në rast se shënohet ndërprerje dritash nga mbingarkesa, rrjeti kompjuterik i instaluar në terminalin e pasagjerëve të funksionojë automatikisht me gjeneratorë kanë qenë çështje të tjera të trajtuara në shtab, përfshirë dhe parandalimin e aksidenteve rrugore. Për të përballuar trafikun e rënduar dhe për të shmangur pasojat e tij u tha se do të ketë shtim të pranisë policore në rrugë, si dhe përmirësim të sinjalistikës. Vera e kaluar ka qenë fatale në numrin e viktimave që shënoi në superstradën Durrës-Tiranë dhe rrugët e tjera të Qarkut të Durrësit.
SarandëPolicia kufitare e Sarandës ka qenë e prerë në qëndrimin ndaj motorëve të ujit, duke mos lejuar të vazhdojë praktika e verës së kaluar, kur këto mjete në mjaft raste shkonin deri në breg dhe bëheshin të bezdisshëm, dallgëzues të buzëdetit dhe madje të frikshëm, sidomos për fëmijët. Shefi i komisariatit të kufirit, Ilir Gjoçi, është shprehur kategorik në një takim të thirrur dje nga nënprefekti Gjergji Mano. Ndërkohë që komisar Gjoçi pohoi se ka shumë kërkesa për dalje të motorëve të ujit në det, ai kërkoi veprimin e autoriteteve vendore në Bashkinë e Sarandës, në Komunën e Ksamilit dhe atë të Lukovës për të përcaktuar vijën kufizuese të lundrimit të tyre, duke vendosur edhe shenja të dallueshme apo rrethime me tapa mbiujëse. Ai tha se largësia e lejuar e afrimit të motorëve të ujit nga bregu në plazhe e gjire shkon nga 100-300 metra dhe ky “kufi” duhet të jetë i dallueshëm qartë. “Pa u bërë kufizimi i territorit në det nuk do të lejohet dalja e motorëve të ujit”, ka deklaruar Gjoça.
#