E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, dy të vdekur dhe dy të plagosur

Dy të vdekur dhe dy të plagosur kanë qenë bilanci i tre aksidenteve të ndodhura brenda pak orësh në Qarkun e Fierit. Ngjarja e parë e rëndë rrugore është regjistruar në fshatin Babunjë, të rrethit të Lushnjës. Mesnatën e së mërkurës, 19-vjeçari Kledis Agolli, duke drejtuar motoçikletën e tij pa targa, ka aksidentuar mjaft rëndë dy këmbësorë. Këta të fundit janë transportuar për në spitalin e Lushnjës, ndërkohë që policia e qarkullimit ka vënë në pranga 19-vjeçarin nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Në të njëjtën orë, në aksin rrugor Fier-Vlorë një automjet i tipit "Land Rover" me targa të huaja H495-PBO që drejtohej nga shtetasi Ervis Hysenshahaj ka përplasur 80-vjeçarin Sulo Suli, i cili po kalonte në pjesën anësore të rrugës nacionale. Përplasja ka qenë fatale për të moshuarin, i cili ndonëse është transportuar me urgjencë për në spital, ka ndërruar jetë pak orë më pas. Në po të njëjtin aks rrugor, në orën 6:30 të së enjtes, në afërsi të fshatit Ferras, shumë pranë Urës së Novoselës, 57-vjeçari Haki Zeka, është aksidentuar duke drejtuar mjetin e tij tip "Volkswagen" . Një parakalim i gabuar i ka kushtuar jetën Zekës, i cili nuk ka mundur që të mbërrijë i gjallë në spitalin rajonal të Fierit.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›