Banda e Durrësit, shtyhet gjyqi, mungojnë tre avokatë
Seanca gjyqësore kundër 16 të pandehurve të akuzuar për vrasje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në qytetin e Durrësit ka dështuar edhe ditën e djeshme. Shkak është bërë mungesa në sallën e gjyqit të tre avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Megjithëse ishin në sallën e gjyqit, ata janë larguar disa çaste më vonë, pas një debati me gjyqtarët dhe prokurorët. Edhe dje gjyqi është zhvilluar me dyer të mbyllura për gazetarët. Burime brenda sallës thanë për gazetën se shkak për debatet kanë qenë publikimet në media të dëshmisë së Adriatik Colit, i penduari i organizatave kriminale të Durrësit. Disa avokatë kanë deklaruar se publikimi i materialeve të tilla në publik është vepër e gjykatës dhe prokurorisë, duke i akuzuar për prishje të procesit gjyqësor. Ata deklaruan se publikimi është i qëllimshëm dhe kërkojnë menjëherë marrjen e masave ndëshkuese për autorët që kanë publikuar këto të dhëna që përbëjnë sekret. Në shenjë rebelimi janë larguar nga salla, ndërsa kreu i trupit gjykues vendosi që ta shtyjë seancën për shkak të mosprezencës së avokatëve. Numri i seancave të zhvilluara në gjykatë për këtë çështje është 85, shumica të dështuara. Shumica e seancave janë shtyrë për mungesë të avokatëve, ndërsa procesi zvarritet prej dy vitesh e gjysmë. Asnjë institucion i drejtësisë në vend nuk ka marrë ndonjë masë për këtë dështim, duke bërë që 16 të pandehurve që akuzohen për një sërë ngjarjesh kriminale në qytetin e Durrësit, t‘u mbarojnë edhe afatet e paraburgimit.