Gjobat e pashlyera, policia bllokon 80 mjete dhe 510 leje
Policia e Tiranës "e ka mbajtur fjalën" për paralajmërimin e bërë dy ditë më parë, duke bllokuar lejet e qarkullimit për gjithë mjetet, të cilët nuk kanë shlyer detyrimet për shkeljet e kryera. Ajo duket më e vendosur se kurrë për të sensibilizuar gjithë drejtuesit e mjeteve në ndjekjen e rregullave të Kodit Rrugor, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e aksidenteve rrugore. Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë do të vazhdojë kontrollet edhe në ditët në vijim, ndaj atyre drejtuesve të mjeteve, të cilët janë debitorë në shlyerjen e detyrimeve të tyre, dhe i fton ato të paraqiten pranë çdo dege të Postës Shqiptare. Kontrolle dhe masa ndëshkuese janë ndërmarrë ditën e djeshme, ku janë pezulluar për mos shlyerje të detyrime 510 leje qarkullimi të mjeteve dhe janë bllokuar 80 automjete, ndaj atyre drejtuesve, të cilët nuk kanë shlyer detyrimet që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative. Drejtuesve të automjeteve, pas shlyerjes së detyrimeve, u janë dhënë automjetet. Përkatësisht janë kthyer 64 automjete, ndërsa 16 të tjera aktualisht ndodhen të bllokuara në Komisariatin e Policisë Rrugore deri në shlyerjen e detyrimeve të tyre. Gjithashtu, shërbimet e Policisë së Tiranës do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve dhe parkimet e gabuara. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Rritja e prezencës së policisë në rrugë, kontrollet e shumta, do të vazhdojnë në vijimësi, për zbatimin e detyrave që lidhen me Programin e Punës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit "Për rritjen e sigurisë rrugore për vitin 2009" ,si dhe Programin e Punës e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, me objekt forcimin e masave ndaj kundërvajtësve, me synim uljen e ngjarjeve aksidentale dhe pasojave të tyre. Kështu, vetëm ditën e djeshme në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e Policisë janë konstatuar dhe vendosur 1801 masa administrative, me vlerë 1. 967 2500 lekë, si dhe janë pezulluar gjashtë leje drejtimi.
Ble. Gi.
Ble. Gi.