Ikën pa lajmëruar, nuk e pranojnë më në shtëpi
Një 41-vjeçare denoncoi në polici dy javë më parë zhdukjen e vajzës së saj 19 vjeçe, por kur mësoi se ajo ishte larguar me dëshirën e saj, nuk e pranoi më në shtëpi. Kështu adoleshentja është dërguar nga policia në Qendrën Kombëtare të Qenieve të Trafikuara në Linzë të Tiranës. Dy javë më parë A. M., 41 vjeçe banuese në rrugën "Gjergj Legisi" në Tiranë e shqetësuar për vonesën e tepruar të vajzës së saj A. S., 19 vjeçe, nisi ta kërkojë te të gjitha shoqet dhe të afërmit, por pa mundur ta gjejë. Në prani të prindërve të saj dhe policisë, adoleshentja deklaroi se ishte larguar me dëshirën e saj nga banesa, ndërsa nuk kishte preferuar të lajmëronte familjen për adresën. Me të dëgjuar dëshminë e vajzës, prindërit nuk kanë pranuar ta pranojnë në banesë atë. E gjendur përballë këtyre rrethanave, policia ka kontaktuar me Qendrën Kombëtare të Qenieve të Trafikuara në Linzë për të strehuar adoleshenten. Vajza aktualisht ndodhet në këtë qendër, ndërsa ende nuk dihet nëse do të kthehet më në banesë.