E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi që ndalon publikimin e dëshmisë së Adriatik Colit

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e përbërë nga:

GURALI BRAHIMLLARI - KRYESUES
NERTINA KOSOVA - ANËTAR
XHELAL ELEZI - ANËTAR
FRAN PRENDI - ANËTAR
LUAN HASNEZIRI - ANËTAR

Asistuar nga sekretare SUELA ARAPI, sot më 06.03.2008, gjatë shqyrtimit në seancë gjyqësore publike, të çështjes penale kundër:

TË PANDEHURVE:
Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai, Indrit Dokle, Adriatik (Dritan) Coli, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Begu, Bujar Gashi Ahmet Ajeti, Osman Karpozi

TË AKUZUAR:
Sipas Neneve: 333, 334, 79/dh-25-22, 78-25, 78-25-22, 76-25, 109/1-25, 278/a/2, 300 të Kodit Penal

KONSTATON SE:
Mbrojtësit Arben Qeleshi, Riza Icka, Petraq Semani dhe Dashnor Mullai pretenduan se janë duke u publikuar në shtypin e përditshëm aktet e hetimeve paraprake të çështjes në gjykim. Sipas tyre, në shtypin e shkruar janë botuar deklarimet e të pandehurve Adriatik Coli dhe Lulzim Berisha, të dhëna në fazën e hetimeve paraprake të çështjes. Mbrojtësi Arben Qeleshi pretendoi se më datën 03.03.2008 i është drejtuar Prokurores së Përgjithshme duke bërë kallëzim penal për këtë botim. Përfaqësuesi i prokurorisë pretendoi se aktet e mësipërme janë pjesë e fashikullit të prokurorit të papërdorura ende në gjykim dhe se për publikimin e paligjshëm të tyre në datën 03.03.2008 organi i akuzës ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ky organ është duke hetuar çështjen. Gjykata çmon se pretendimi i mbrojtësve për marrjen e një vendimi të ndërmjetëm nga gjykata për mospublikimin e mëtejshëm të akteve është i drejtë e duhet të pranohet. Gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje penale, gjykata ka zbatuar standardin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, të njohur dhe nga legjislacioni procedural penal, për zhvillimin e gjykimit në seancë publike. Gjykata çmon se e drejta për seancë publike është garanci thelbësore për transparencën, drejtësinë, ndershmërinë dhe pavarësinë e procesit gjyqësor. Kjo e drejtë ndikon edhe në mbrojtjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë në tërësi dhe në procesin në gjykim në veçanti. Por me të drejtën për zhvillimin e gjykimit në seancë publike, nuk mund të abuzohet nga askush. Një e drejtë e tillë është e kufizuar për fazën e hetimeve paraprake dhe e ndaluar për akte të cilat nuk janë shqyrtuar në seancë gjyqësore publike.
Gjykata konstaton se në fazën në të cilën ndodhet shqyrtimi gjyqësor i kësaj çështjeje, deklarimet e të pandehurve Adriatik Coli dhe Lulzim Berisha, të dhëna gjatë fazës së hetimeve paraprake, nuk janë përdorur në gjykim, prandaj nuk mund të publikohen.
Në bazë të Nenit 103 të K.Pr.Penale, sipas të cilit "Ndalohet publikimi qoftë dhe i pjesshëm i akteve sekrete që lidhen me çështjen ose dhe vetëm i përmbajtjes së tyre, nëpërmjet shtypit ose informacionit publik".
Personat përgjegjës, që në abuzim të detyrës dhe për shkak të saj kanë nxjerrë aktet e sipërcituara, duhet të identifikohen dhe të përgjigjen sipas ligjit, ndërsa përfaqësuesit e organeve të medias duhet të jenë të kujdesshëm në publikimet e tyre. Gjykata çmon se duke respektuar të drejtën e organeve të mediave për të asistuar në zhvillimin e seancave gjyqësore, duhet të kërkojë prej tyre që të mos tejkalojnë caqet e së drejtës së tyre. Ato nuk mundet, pavarësisht nga mënyra se si mund të vihen në dijeni, të bëjnë publike aktet të konsideruara sekret nga ligji, të cilat i përkasin fazës së hetimeve paraprake në çështjet penale. Për sa më sipër, gjykata çmon se duhet të urdhërojë ndalimin e publikimit në shtyp të çdo akti të hetimit paraprak që nuk është përdorur ende në gjykim në këtë çështje penale.

PËR KËTO ARSYE
Gjykata, bazuar në nenet 103 të K.Pr.Penale,
URDHËRON

• Ndalimin e menjëhershëm të publikimit të mëtejshëm të çdo akti të hetimeve paraprake të çështjes penale me Nr. 33, akti që u përket të pandehurve: Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai, Indrit Dokle, Adriatik (Dritan) Coli, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Begu, Bujar Gashi, Ahmet Ajeti, Osman Karpozi.
• Ky urdhërim t‘u komunikohet për t‘u zbatuar edhe të gjitha mediave të tjera vizive e të shkruara.
• Për zbatimin e këtij urdhërimi ngarkohet Kancelari i Gjykatës.
• U shpall në Tiranë, më datë 06.03.2008, ora 10:00

SEKRETARE GJYQTAR
SUELA ARAPI GURALI BRAHIMLLARI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›