E Diel, 1 Nëntor 2026

CEZ Albania: “OSSH ka ende shumë mungesa që kërkojnë kohë për t’u zgjidhur”



Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike ka pohuar dje se nga kontrollet e deritanishme të faturave të energjisë, ka evidentuar abuzime nga ana e faturistëve të saj.
Ka qenë vetë drejtori i CEZ, Jozef Haisek, që konfirmoi zbulimin e 5300 rasteve me abuzime që kapin vlerën e 105 milionë lekëve. “Në emër të CEZ duam të nënvizojmë edhe një herë që po punojmë intensivisht për të identifikuar dhe korrigjuar të gjitha problemet e trashëguara të një kompanie të tillë si OSSH-ja. Ne të gjithë e dimë që ka mungesa në shumë fusha përfshirë dhe sistemin e faturimit për klientët tanë. CEZ Albania po punon për verifikimin e të gjitha çështjeve të pazgjidhura brenda OSSH-së, të cilat midis të tjerave, kanë të bëjnë me kulturën e vjetër të punës të punonjësve të OSSH-së, një sistem faturimi shumë problematik, për të cilin po punojmë intensivisht që ta rindërtojmë dhe performancën e keqe të shumë faturistëve, të cilët po i identifikojmë, po i pushojmë, po i ndjekim penalisht dhe po i zëvendësojmë me njerëz të rinj. Gjithashtu, ashtu siç e kemi përmendur më parë, ne kemi larguar nga detyra tashmë Drejtorin e Shitjeve të OSSH-së dhe më shumë se 100 faturistë. Ne duam të sqarojmë edhe një herë që OSSH-ja i ka llogaritur faturat e janarit me të njëjtën metodologji dhe me të njëjtin sistem të dhënash si në të kaluarën. Duam të bëjmë të qartë që nuk ka pasur asnjë udhëzim apo urdhër të dhënë nga CEZ që të ketë sjellë situatën aktuale. CEZ është këtu për të krijuar një operator të shpërndarjes së energjisë që funksionon sipas standardeve më të larta të integritetit të një biznesi dhe po punojmë shumë që ta realizojmë këtë objektiv. Megjithatë, siç e dini, OSSH është një kompani me shumë probleme, të cilat ju i shikoni ende sot dhe të cilat janë akumuluar për vite me radhë dhe sigurisht nuk mund të zgjidhen për pak muaj. Ne jemi të ndërgjegjshëm për problemet dhe për sfidën e madhe, por gjithashtu na duhet kohë për t’i korrigjuar këto mungesa të mëdha të trashëguara. Në lidhje me faturat e janarit, çdo klient gëzon të drejtën të vërtetojë saktësinë e faturës. Bazuar mbi kërkesën e klientit dhe pas një kontrolli në sistemin tonë të brendshëm, i cili do të kryhet nga ekspertë ndërkombëtarë, ne do të shikojmë dhe do të kontrollojmë fizikisht në prezencën e klientit pasi ta kemi njoftuar atë. Nëse pretendimi vërtetohet, shuma e mbifaturuar do t’i zbritet klientit në faturën pasardhëse. Ditët e muajit dhjetor të faturuara në janar do të llogariten me tarifat e vjetra. Për më tepër, shumë shpejt do të jemi gati për të filluar përdorimin e teknologjisë së avancuar për kontrollin e konsumit të energjisë. Nga ana tjetër, ka gjithashtu arsye pse faturat aktuale janë më të larta në krahasim me muajt paraardhës, që kanë të bëjnë me konsumin më të lartë të energjisë për shkak të kushteve të motit dhe rritjen e tarifave të energjisë. Energjia duhet paguar dhe ne do të jemi konsekuent në këtë çështje dhe nuk do të tolerojmë asnjë subjekt privat, buxhetor apo jobuxhetor të injorojë pagesën e saj”.

METE, grup pune për statusin e minatorit

Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës ka njoftuar dje se ka ngritur një grup pune për studimin e mundësive konkrete për realizimin e statusit të minatorit. Në krye të grupit të punës është zv.Ministri i Energjetikës Neritan Alibali, por në përbërje të këtij grupi do të jenë dhe të tjerë funksionarë si dhe përfaqësues nga Ministria e Financave, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Drejtësisë, etj. Grupi i punës deri në 5 prill duhet të ketë përfunduar studimi për mundësitë e realizimit të statusit të minatorit si dhe t'i paraqesë Kryeministrit propozimet për këto mundësi. Për realizimin e detyrave të përcaktuara në urdhrin e Kryeministrit, grupi i punës do të shfrytëzojë praktikën e deritanishme lidhur me Statusin e Minatorit. Në përfundim të punës për hartimin e dokumenteve mbi statusin e minatorit, grupi i punës do të konsultohet me faktorët e interesit.

Rriten prurjet e ujit në kaskadë, hapen portat e Vaut të Dejës

KESH-i ka hapur dje portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës, si pasojë e prurjeve të shumta që kanë ardhur këto ditë nga dy lumenjtë Drini i Bardhë dhe Drini i Zi. Në liqenin e këtij hidrocentrali niveli i ujit ka arritur në 75,19 metër, ndërsa prurjet janë 20 metër kub në sekondë. Kjo situatë ka detyruar KESH-in që të hapë të mërkurën në darkë portat e këtij hidrocentrali nga ku shkarkohen 300 metër kub ujë në sekondë. Në Fierzë niveli i ujit është 293,75 metër ndërsa prurjet janë 500 metër kub në sekondë. Në hidrocentralin e Komanit niveli i ujit ka arritur në 170,5 metër nga 175 që është niveli maksimal i lejuar. Prurjet në këtë hidrocentral janë 110 metër kub në sekondë. Aktualisht KESH-i nuk ka marrë vendim nëse do të hapë edhe portat e Fierzës dhe të Komanit, por deklaron se gjendja është nën kontroll dhe situata është e qetë.

12 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›