Banda e Durrësit, Adriatik Coli: “U pendova kur u ktheva në Shqipëri”
Seanca e radhës për bandën e Durrësit ka vijuar dje me debate mes avokatëve dhe prokurorëve. Burime që ishin prezente në sallë shpjeguan se shkak janë bërë pyetjet e avokatit Detar Hysi, i cili, me sa duket, ka ngulmuar duke e pyetur të penduarin Adriatik Coli se kur kishte nisur pendesa e tij, para apo pasi është kthyer në Shqipëri? Avokati Hysi, me anë të pyetjeve të tij, ka hedhur aludimet se mos i penduari kishte nisur tratativat e tij me Prokurorinë për të nënshkruar marrëveshjen e pendesës qëkur ishte i fshehur në Kosovë. Mirëpo këto pyetje kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të prokurorëve të çështjes. Sipas tyre, këto pyetje po cenonin marrëveshjen me të penduarin dhe se avokati duhet t’i formulonte ndryshe pyetjet, duke mos ndërhyrë në marrëveshjen mes tyre dhe të penduarit. Mirëpo pavarësish kërkesës së përfaqësuesve të akuzës, avokati Hysi nuk ka hequr dorë derisa ka marrë përgjigjen e Colit. Të njëjtat burime sqaruan se pas këmbënguljes së avokatit i penduari është përgjigjur se ka nisur të pendohet pasi ka ardhur në Shqipëri. “Kur kam qenë në qelitë shqiptare, prokurorët më kanë propozuar marrëveshjen dhe më kanë vënë në dijeni për lehtësirat që do të kisha nëse pranoja. Vendosa ta firmos dhe të respektoj kushtet që më vendosi Prokuroria”. Kështu mësohet të jetë përgjigjur i penduari Adriatik Coli. Më tej avokati Hysi e ka pyetur nëse kishte kryer ndonjë krim për llogari të tij, apo për interesa të anëtarëve të bandës? Coli ka pranuar se një vrasje e ka kryer për interesat e tij, dhe jo të bandës. Për shkak të pyetjeve të avokatit Hysi, prokurorët kanë kërkuar ndërprerjen e seancës për t’i dhënë kohë avokatit në fjalë që të riformulojë pyetjet për të penduarin. Kështu, edhe në seancën e ardhshme pritet të vijohet me pyetjet që do të bëjë avokati Detar Hysi ndaj të penduarit Adriatik Colit.
12 Mars 2010