Taçi dhe truprojat e tij drejt gjykimit të shkurtuar
Laureta Rryçi
Rezart Taçi, pronari i kompanisë “Taçi Oil” dhe i disa bizneseve të tjera, është duke parë mundësinë e gjykimit të shkurtuar para gjyqtarit Petrit Çomo. Këtë fakt e pohuan në seancën e djeshme avokatët e tij mbrojtës, Artan Hajdari dhe Maksim Haxhia. Ata, që në fillim të seancës së radhës kërkuan të njihen me dosjen e sjellë nga Akuza për t’u konsultuar më pas me klientin e tyre nëse do të pranojnë apo jo gjykimin e shkurtuar. Një tjetër kërkesë e bërë para gjykatës ishte edhe ajo e avokatit Arben Prifti, që mbron interesat e dy truprojave të Taçit, Irgen Selfo dhe Bledar Lilo.
Kjo kërkesë u mirëpranua edhe nga prokurori i çështjes dhe seanca e radhës u la për në datën 1 prill. Në këtë seancë pritet që avokatët të mbajnë dhe qëndrimin përfundimtar të klientëve të tyre në lidhje me këtë proces.
Kërkesa
Sipas avokatit Arben Prifti, gjykata duhet t’i bëjë me dije nëse në dosjen e ardhur për gjykim ndodhet ndonjë akt ekspertimi mjeko-ligjor për klientin e tij, Irgen Selfo. Avokati ngriti pretendimin se Selfo ka një të çarë në buzë të shkaktuar nga mjete të mprehta. Ai tha se ka qenë gazetari Mero Baze që e ka goditur me një tavllë duhani. Më pas përgjigjja e gjyqtarit Petrit Çomo ishte qartë. Sipas drejtuesit të seancës, në dosje ndodhet një akt ekspertimi që vërteton se Irgen Selfo është goditur në buzë me mjete të mprehta. Por kjo goditje nuk klasifikohet si rrahje dhe në këtë rast nuk ka vepër penale. Pasi kanë ngritur disa pretendime të para, avokatët kërkuan kohë me qëllim shqyrtimin e dosjes.
Ngjarja
Rezart Taçi dhe dy truprojat e tij akuzohen se kanë goditur për shkak të detyrës gazetarin Mero Baze. Mirëpo nga ana e të pandehurve është pretenduar se nuk e kanë njohur si gazetar dhe kanë rënë pre e provokimeve të tij. Sipërmarrësi 38-vjeçar ka pohuar se akuzat që i bëhen janë pjesë e një skenari të menduar me kohë ndaj bizneseve që ai ka në zotërim. Irgen Selfo dhe Bledar Liro janë dy të pandehurit e tjerë të kësaj dosjeje, që duket se në ngjarje janë përfshirë si truproja të biznesmenit. Të tre personat, sipas Prokurorisë, akuzohen për “goditje për shkak të detyrës” në dëm të gazetarit Mero Baze, në ngjarjen e ndodhur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Krimet e Rënda do të shprehen sot për kërkesën e Aldo Bares
Gjykata e Krimeve të Rënda pritet të vendosë sot për kërkesën e Aldo Bares për përjashtimin e trupit gjykues. Pas dorëzimit të kërkesës nga avokati, kryetari i Gjykatës ka përcaktuar që mbi këtë kërkesë Gjykata të shprehet ditën e sotme me anë të një seance të posaçme. Kërkesa e avokatit të Bares erdhi pas rrëzimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar. Sipas avokatit Vladimir Meçe, kolegji penal, që drejtohet nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, e ka paragjykuar çështjen dhe për këtë arsye duhet të formohet një tjetër kolegj për ta gjykuar dosjen.
Kreu i bandës së Lushnjës akuzohet për krijimin e organizatës kriminale, për më tepër se 20 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Aldo Bare akuzohet gjithashtu për drejtimin e njërit prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës në drejtim të Europës Perëndimore, për të cilat bashkëpunohet me partnerët tanë perëndimorë.
12 Mars 2010