Problemet që shkaktohen nga ndotja e ajrit
Ndotja e ajrit nga pluhuri në një pjesë të madhe të qyteteve të vendit mbetet sërish në shifra alarmante, edhe pse premtimet për ajër më të pastër për shqiptarët vijnë çdo ditë me doza të larta, sikurse edhe niveli i ndotësve. Kryeqyteti vazhdon të jetë në krye të listës së zezë të ndotjes së ajrit edhe nga matjet e ditëve të fundit. Rreth 2,5 herë mbi normën e lejuar është ndotja nga grimcat e pluhurit në Tiranë. Fëmijët janë kontingjenti më i rrezikuar nga ndotja e ajrit në kryeqytet. Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), kryeqyteti është më i ndoturi nga të gjitha rrethet e tjera të vendit dhe detyrimisht në Tiranë ka më tepër persona që vuajnë nga mushkëritë. Por këtë vit, ndryshe nga studimet e tjera, ka rezultuar se më të prekurat janë mushkëritë e fëmijëve të vegjël. Specialistët e ISHP-së kanë specifikuar katër sëmundje që u shkaktohen fëmijëve nga efektet negative të mjedisit të ndotur, që janë: sëmundjet respiratore të fëmijëve (astma, alergjia); çrregullime të zhvillimit mendor; tumore fëminore si dhe çrregullime endokrine. Ndërkohë që, probleme të tilla shkaktohen edhe nga pirja e duhanit në ambiente me fëmijë, si në shtëpi, lokale etj. Specialistët bëjnë të ditur se prindërit duhet t’i shmangin fëmijët nga ambientet publike, ku konsumohet duhani.
Rreth 30% e femrave vuajnë nga dhimbjet kronike
Rreth 45 për qind e femrave dhe meshkujve vuajnë nga dhimbja kronike. Sipas statistikave të specialistëve rreth 30 % e femrave shqiptare, dhe 12 % e meshkujve vuajnë nga sëmundja e firbomiologjisë që s’është gjë tjetër veçse dhimbja kronike që zgjat mbi 3 muaj. Por kjo sëmundje, pothuajse nuk njihet mirë nga specialistët në vendin tonë. Specialistët shprehen se disa nga simptomat e kësaj sëmundje janë dobësia, pa dëshira për të bërë shumë gjëra dhe shpesh ajo është cilësuar nga mjekët si dobësi nervore. Dhimbja kronike apo siç njihet në gjuhën mjekësore fibromiologjia, njihet si sëmundje më vete që prej 2001, ndërsa janë mjekët algologë, të cilët merren me trajtimin e saj. Ndërkohë që personat që vuajnë, janë në një gjendje të rënduar psikike dhe janë tepër të tensionuar në momentet e prekjes nga kjo sëmundje. Ndër simptomat e saj është edhe nervozizmi i tepëruar.
7 Korrik 2009