Aksidentet, dy të vdekur, një i plagosur
Përgjaken sërish akset nacionale. Dy 60-vjeçarë kanë qenë viktimat e dy aksidenteve të ndodhura dje në Laknas, Tiranë dhe Shkodër. Ngjarja e parë rrugore ka ndodhur mesditën e djeshme në aksin rrugor Razëm - Koplik, të rrethit Malësi e Madhe, kur një furgon pasagjerësh ka përfunduar jashtë rruge. Viktima është 65-vjeçari Gjergj Temali, nga fshati Razëm, ndërsa ka mbetur i plagosur 25-vjeçari Arben Mili, nga fshati Vrith. Sipas policisë, furgoni me targë MA 1541 B, që drejtohej nga Arben Kuqi, 31 vjeç nga fshati Razëm, ka dalë nga rruga në vendin e quajtur Mzhedë. I plagosuri është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 65-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërkohë, policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e furgonit, shtetasin Arben Kuqi. Ndërkohë, po dje një 60-vjeçare është aksidentuar për vdekje në rrugën nacionale Fushë-Krujë - Tiranë. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Laknas, ndërsa 60-vjeçarja Gjysime Lama ka tentuar të kalojë nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Ajo është përplasur nga një autoveturë tip “Benz”, e cila është larguar nga vendi i ngjarjes duke e lënë të plagosur rënë Lamajn. Kanë qenë kalimtarë të rastit ata që e kanë dërguar të plagosurën për në Spitalin Ushtarak Tiranë për të marrë ndihmën mjekësore, por sipas mjekëve të këtij spitali ajo kishte ndërruar jetë pa mbërritur në spital. Policia e Tiranës ka mundur të kapë edhe drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin vetëm pak minuta pas ngjarjes.
#