Fakte të reja për zhdukjen e Bleonës
Gjyshja e Bleonës 6-vjeçare të zhdukur prej 13 ditësh, ka dëshmuar për policinë se vajza mund të jetë rrëmbyer nga një i ri që ajo kishte parë pas vajzave të rritura. Ajo u ka kërkuar vajzave, përfshi të bijës, të tregojnë se cili ishte djali që i kishte ndjekur. Por këto kanë mohuar të kenë pikasur ndonjë njeri pas tyre. “Ka qenë një djalë i gjatë me xhup të zi që ecte pas vajzave në drejtim të vendit ku ka humbur Bleona, ndoshta ai është rrëmbyesi. E kam parë më sytë e mi, por nuk më shkonte mendja se mund të humbte mbesa, që të mund ta ndiqja”, mësohet të ketë deklaruar e moshuara, duke këmbëngulur te qëndrimi sipas të cilit vajzat duhet të dinë diçka më shumë rreth këtij fakti.
Por nga ana tjetër, në fshat lëvizin vazhdimisht kalimtarë, është e vështirë që të merret si një pistë e mundshme rrëmbimi nga një njeri që u pa në rrugë pas vajzave. Sidoqoftë, kërkimet dhe hetimet e kompetentëve do të mund të zbardhin si ka ndodhur me vogëlushen me datë 22 maj 2010 në Zapod. Të tjerë banorë kanë thënë se ditën e zhdukjes së vogëlushes, kanë parë në hyrje të fshatit dy autovetura. çdo lëvizje që ka ndodhur në datën 22 maj 2010 në Zapod merr kuptim të veçantë dhe me të drejtë analizohet jo thjesht nga policia, por komentohet gjerësisht nga vetë banorët. Ndërkohë, pas 13 ditësh kërkimesh, policia nuk ka ende ndonjë gjurmë prej saj. Në operacionet e kërkimit, krahas policisë së Kukësit janë përfshirë edhe efektivët e policisë së Krimeve të Rënda që kanë ardhur nga Tirana. Skuadrat e specializuara po bëjnë kërkime në fshatrat e zonës së Zapodit, por jo nëpër banesa siç mendohej dhe ka kërkuar një ditë më parë babai i vajzës së humbur, Zamir Mata. Specialistët e Krimeve të Rënda kanë krehur terrenin me imtësi para se të hiqet dorë nga pista sipas të cilës 6-vjeçarja mund të ndodhet diku në mal e mbytur apo e copëtuar nga kafshët e egra. Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 3 milionë lekë shpërblim për këdo që jep informacion të saktë për gjetjen e vajzës së mitur. Kërkimet janë shtrirë edhe në Maqedoni dhe Kosovë ku po hetohet në pistën e rrëmbimit për qëllime trafikimi. Në zonën e Zapodit kanë udhëtuar edhe autoritete të larta përfshi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj. Familjarët nga ana e tyre kanë kërkuar që kërkimi të bëhet edhe nëpër shtëpitë e zonës me shpresën se e bija mund të mbahet e mbyllur nga persona të panjohur.
#