E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset në galeritë e kromit minatori nga Kalimashi

Kukës Ramazan Lugja, 50 vjeç, është dërguar në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë

Një tjetër minator nga Kalimashi është plagosur rëndë në galeritë e minierës së kromit, në platformat e braktisura që prej më shumë se një dekade. Burime të spitalit civil të Kukësit bëjnë të ditur se Ramazan Lugja, 50 vjeç, nga Kalimashi ka mbërritur në repartin e urgjencës rreth orës 04:30 të së mërkurës. Ai është aksidentuar rëndë teksa nxirrte krom në thellësi të tokës. Me të marrë ndihmën e parë mjekësore, Lugja është transportuar menjëherë drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës për trajtim më të specializuar. Sipas bluzave të bardha, ai i është nënshtruar një operacioni në kokë. Ndërkaq, të afërmit e tij pohojnë se 50-vjeçari, babai i 6 fëmijëve, ndodhet në gjendje kritike për jetën. Kohët e fundit miniera e Kalimashit ka tërhequr interesin e një numri të madh banorësh të zonës, të cilët në mënyrë amatore kanë siguruar qindra ton mineral duke e nxjerrë nga thellësitë me mjete krejt primitive dhe të pasigurta. Ky është punëtori i dytë që aksidentohet në galeritë e Kalimashit brenda një kohe të shkurtër. Një muaj më parë në minierë u aksidentua një 26-vjeçar i cili kërkonte krom në galeri. Ndërkohë, para dy muajsh në rrethin e Hasit shembja e mineralit në thellësi të galerisë i mori jetën një 55-vjeçari nga fshati Golaj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›