Krujë, zhduket prej një jave nxënësi i klasës së gjashtë
Prej një jave është zhdukur pa lënë gjurmë një 14-vjeçar nga fshati Thumanë i Krujës. Leonard Lena është zhdukur në drejtim të paditur që nga data 26 maj të këtij viti. Ndërsa është nisur si çdo mëngjes për në shkollë, ai nuk është kthyer më në shtëpi. Prindërit dhe të afërmit e kanë kërkuar gjithandej, por nuk kanë mundur të gjejnë asnjë shenjë prej 14-vjeçarit. Dje ata i janë drejtuar për ndihmë policisë së Krujës, por deri më tani nuk ka asnjë të dhënë për Leonard Lenën. Sipas babait të të miturit Ndue Lena, djali është nisur për në shkollë, por nuk është kthyer ende në shtëpi. “Në datën 26 maj unë kam dalë herët nga shtëpia për të ikur në punë. Ndërsa bashkëshortja ime e ka bërë gati dhe e ka nisur në shkollë së bashku me fëmijët e tjerë të fqinjëve. Kur u ktheva në shtëpi, në 18.00 kërkova tim bir, po gruaja më tha se nuk ishte kthyer nga shkolla. Menjëherë nisëm kërkimet, pyetëm shokët e klasës dhe mësuesen, por na thanë që Leonardi atë ditë nuk kishte shkuar fare në shkollë. Nuk kemi lënë vend pa kërkuar, por deri tani nuk e kemi gjetur. I jemi drejtuar për ndihmë policisë”, tregon duke psherëtirë Ndue Lena. Ai tregon se Leonardi një vit më parë ishte larguar vetëm për një natë te të afërmit e tij, por më pas kishte ardhur në shtëpi dhe kishte qenë fëmijë i rregullt. “Nuk kam pasur asnjë konflikt me njeri, nuk dua të besoj se tim bir e kanë rrëmbyer. Kam kërkuar gjithandej, tani nuk di çfarë të bëj më”, ka thënë më tej babai i 14-vjeçarit. Burime të policisë së Krujës bëjnë të ditur se deri më tani është marrë në pyetje një person që ka qenë në momentet e fundit me fëmijën, por nuk është arritur të zbulohet asnjë detaj për vendndodhjen e fëmijës. Ndue Lena jeton bashkë me bashkëshorten dhe gjashtë fëmijët e tij, në një lagje të Thumanës së Krujës. Leonardi, 14 vjeç ka qenë fëmija më i vogël i çiftit Lena.
#