E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, fundjavë e përgjakshme në akset kombëtare

Viktimat, një 22-vjeçar nga Fieri dhe një pasagjer i linjës së autobusit Tiranë-Athinë

Fundjavë e përgjakshme në rrugët kombëtare të vendit. Dy persona kanë rënë viktimë e aksidenteve rrugore brenda një harku të shkurtër kohor. Ngjarja e parë ka ndodhur rreth orës 09:00 të së dielës, në aksin kombëtar Tepelenë-Gjirokastër, në afërsi të fshatit Shtëpëz, ku viktima bashkë me pasagjerët e tjerë që udhëtonin në autobusin e linjës ndërkombëtare Tiranë-Athinë, kanë qëndruar për një pushim të shkurtër. Viktima, Përparim Hodo, 47 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë, ka lëvizur nga një anë e autostradës në anën tjetër dhe në kthim për në vendparkimin e autobusit është përplasur nga një autoveturë e tipit “Benz Mercedes” me targa TP 28 02 B, duke humbur jetën. Nga verifikimet e kryera në vendngjarje, ekspertët e policisë kanë arritur në konkluzionin se shkak i përplasjes fatale është bërë pakujdesia e 47-vjeçarit. “Shkak për këtë aksident ka qenë pakujdesia e viktimës për të kontrolluar rrugën. Hodo i ka prerë rrugën drejtuesit të automjetit dhe për pasojë është përplasur me automjetin, duke gjetur vdekjen e menjëhershme”, theksoi zëdhënësi i Policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai. Ndërkaq një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur dje në mëngjes në rrugën Fier-Lushnje. Një 22-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa shkonte për të ndihmuar një shokun e tij që ishte plagosur në një tjetër përplasje makinash. Aksidenti ka ndodhur në orën 10:30 në urën e Mbrostarit. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se automjeti i tipit BMW me targa FR 5639B që drejtohej nga 22- vjeçari Nelson Lika ka dalë nga rruga dhe pasi ka përplasur bordurën, ka rënë në lum. Për pasojë 22-vjeçari Nelson Lika ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Drejtuesit e rastësishëm të automjeteve kanë njoftuar menjëherë policinë lokale, që ka mbërritur brenda pak minutash në vendin e sinjalizuar. është dashur ndërhyrja e një vinçi që të nxirrej makina nga lumi Seman ku makina ishte pozicionuar pas rënies. Brenda makinës që ishte shkatërruar, në pjesën e përparme është gjetur i pajetë drejtuesi 22-vjeçar, që është transportuar drejt morgut të qytetit. Sipas policisë, shkak i aksidentit është bërë shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte viktima. Megjithatë, hetimet e mëtejshme do të zbardhin përfundimisht shkakun e aksidentit. 22-vjeçari ishte banor i fshatit Petovë të Komunës Libofshë në Rrethin e Fierit. Mësohet se ai po shkonte nga Fieri për në drejtim të Vajkanit, për t’i dhënë ndihmë një miku të tij që ishte aksidentuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›