Aksidentet i marrin jetën një tjetër personi
Dy aksidente në Tiranë kanë shënuar një të vdekur dhe një të plagosur. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur dje në mesditë në kryeqytet. Ngjarja e rëndë ndodhi në bulevardin "Bajram Curri", rreth orës 12.50 minuta, kur një makinë ka përplasur një person që po udhëtonte me motor. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se aksidenti me vdekje ndodhi kur një person me motor u përplas me një betoniere. Nga ana tjetër, policia shpjegoi se specialistët e seksionit të hetimit të aksidenteve kryen arrestimin në flagrancë për një tjetër aksident të shtetasit Fatos Zija Cufaj, 40 vjeç, lindur në Shkodër dhe rezident në Irlandë. Arrestimi i tij u krye, sepse dy ditë më parë, rreth orës 14.00, duke drejtuar automjetin e tij tip fuoristradë "Benz 270 ML", me targa SH 4349 E, në Sauk të Ri, pranë një karburanti, ka aksidentuar këmbësorin 18-vjeçar Arben Rama. 18-vjeçari është dëmtuar teksa po ecte anës rrugës dhe është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".